“Punova në interes të qeverisë së Kosovës”: Divorc mes serbëve integracionistë? Radomiroviq e Rashiq përçahen - NACIONALE

“Punova në interes të qeverisë së Kosovës”: Divorc mes serbëve integracionistë? Radomiroviq e Rashiq përçahen

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Jam në dijeni që mund të shkarkohem nga pozita e Zëvendës Ministrit”.

Një çarje e madhe del të ketë ndodhur në mesin e “serbëve më integracionistë” të Kosovës.

Radoica Radomiroviq – Zëvendës Ministër për Komunitete dhe Kthim – njoftoi dorëheqjen e tij nga partia “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”; iniciativë kjo bashkëpartnere me Ministrin serb, Nenad Rashiq.

Rashiq dhe Radomiroviq u ngjitën në qeverisje pas dorëheqjes së Listës Serbe në nëntor të vitit 2022 nga institucionet dhe funksionuan si një dyshe e pandashme.

Radomiroviq u paraqit në skenën publike e politike si një ‘strongman’ i veriut dhe kundërshtar i pakompromistë i Listës Serbe.

Ishte denoncues me orar të plotë i 'Srpska'-s, ndërsa pas ngjitjes në pozitë zyrtare nxirrte kontratat e dyshimta realizimi të cilëve s'kishte ndodhur kurrë nga partia e diriguar nga Beogradi: si ato nga qeverisjet e mëhershme në Republikën e Kosovës ashtu edhe ato nga instistucionet e paligjshme paralele serbe.

S’kishte ngjarje në veri që Radomiroviq s’ishte prezent: duke nisur qysh prej komunave të cilat tashmë qeverisen nga shqiptarët – djalin e tij Nikolla Radomiroviqin e kishte bërë Drejtor të Kulturës: ani pse ishte ushtar i Ushtrisë Serbe në Rashkë deri para se të bëhej drejtor në Komunën e Leposaviqit të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Radomiroviq shihet të kishte zhvilluar afërsi të madhe me LVV-në, ku në videot që pati publikuar Nacionale doli të ishte fort rehat në Komunën e Leposaviqit teksa të gjithë pinë raki e alkool: më së shqueshmi mbesa e Lulzim Hetemit, Shqipe Latifi, punonjëse në komunë, të cilës ia rrahë edhe shpinën në miratim të asaj festeje brenda komunale.

Por, Radomiroviq i ndau udhët me Rashiqin: shefin e tij politik.

Lajmëroi në Facebook se kaq ishte. Arsyeja?

Pabarazia dhe mostransparenca ka çuar në krizë madhore brenda partisë jo vetëm në Veri të Kosovës, por anekënd territorit...të gjithë anëtarët e partisë në Veri janë larguar”, shkroi dje Radomiroviq.

Më vonë u lajmërua mediave serbe me shpjegime – ndonëse jo edhe aq konkrete – se pse u bë kështu që u largua, ndonëse jo nga pozita e Zëvendës Ministrit.

Përkushtimi i pamjaftueshëm për qytetarët e veriut dhe partisë nga Ministri Rashiq janë një nga arsyet”, i tha ai medias serbe “Kosovo Online”.

Radomiroviq e paraqiti misionin e vet si politikan “që kam ardhur t’i çlirojë njerëzit nga Lista Serbe por edhe t’i ndihmojë në ministri” dhe se për shkak të kësaj të fundit – i.e, sipas tij, nga pamundësia për t’i ndihmuar – është dorëhequr nga partia (por, jo nga posti i Zv/Ministrit).

Nuk shpërndahen mjaftueshëm para për veri të Kosovës dhe kjo lehtë verifikohet”, tha ai.

Jemi të pakënaqur me shpërndarjen e parave”.

Por, Radomiroviq s’e ka ndërmend të dorëhiqet nga posti i Zëvendës Ministrit: “Po të doje Rashiq mund të shkarkojë, por s’kam arsye të dorëhiqem”, thai ai për “KO”.

Nacionale kontaktoi Radomiroviqin për ta pyetur rreth kësaj çështje:

Na tha që “e kupton që Rashiq mund të më shkarkojë nga pozita e Zv/Ministrit”.

Pyetur se – siç kanë raportuar mediat serbe – a mund të bëhet që ndaj tij të ketë procedura penale, Radomiroviq na thotë “mos lexoni media mafioze”.

Ju e dini që unë si Zv/Ministër nuk marrë vendime për paratë. Punova ndershëm në interes të qytetarëve dhe qeverisë”, tha ai.

E ndërpremë se “a po thoni se qeveria” s’ka përkushtim për veriun, ai përgjigjet: “Nuk kam thënë që qeveria”.

Nacionale: Por, a nuk është Rashiq qeveria?

Nga këtu s’e vazhdoi më.

Nacionale ka provuar të kontaktojë ministrin Nenad Rashiq, por se i njëjti s’ka qenë i qasshëm.

Nacionale ka kuptuar poashtu nga burime të mirëinformuara se plasaritja mes Radomiroviq dhe Rashiq mund të mos jetë edhe aq për çështje parimore e qeverisjeje sa ç’jepet dhe se mund të ketë të bëjë me interesa financiare, derisa po provon të verifikojë informacionet e pranuara.

Lajme të ngjashme