Punëtorët që mirëmbajnë ndërtesën e Qeverisë së Kosovës paguhen 185 euro - NACIONALE

Punëtorët që mirëmbajnë ndërtesën e Qeverisë së Kosovës paguhen 185 euro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Punëtorët që mirëmbajnë dhe pastrojnë ndërtesën shumëkatëshe të Qeverisë së Kosovës, nuk gëzojnë kushte të mira të punës.

Ndërtesa 15 kat mirëmbahet nga 12 punëtorët, të cilët në fund të muajit marrin 185 euro neto.

“Paga nuk mjafton për asgjë, po s’po kemi qare pa punu diçka”, thotë V.M në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik.

E njëjta ka treguar se është përgjegjëse për 2 kate të ndërtesës, ku çdo ditë e kryen pastrimin.

“Është punë shumë e vështirë se jemi pak veta,” ankohet për mbingarkesën në punë.

Pavarësisht kësaj, Jeton Leku, menaxher në Schafberger, kompania që e ka fituar tenderin për mirëmbajtën e ndërtesës së Qeverisë e pranon se numri i punëtorëve është tejet i vogël për t’i mbuluar të gjitha hapësirat në ndërtesën e Qeverisë.

“E pranoj është pagë shumë e vogël por problemi është se disa institucione e qesin si kriter në tender pagën e punëtorëve, ndërsa në rastin e Qeverisë kur kam apliku, ky kriter nuk ka qenë. Dhe të gjithë që kanë aplikuar në tender këqyrin me vendos çmimin sa më të ulët për me e fitu tenderin. Këtë e kam bërë edhe unë. Dhe tash kanë mbetur këto paga.” – ka thënë Leku për Buletinin Ekonomik.

Nga ana tjetër, Zyra e Kryeministrit kanë thënë se përgjegjësia për shpalljen e tenderit ka qenë e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndërsa nga kjo e fundit thonë se janë respektuar të gjitha procedurat e prokurimit publik.

Sa i përket vendosjes se kriterit për pagat e punëtorëve, në përgjigjet e MPB-së thuhet se kjo nuk lejohet me legjislacionin në fuqi.

“Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të tenderit për këtë shërbim, nuk është e lejuar që të caktohet dhe të kërkohet paga e punëtorëve sepse Paga minimale për punëtorë caktohet me ligjet tjera në fuqi në Republikën e Kosovës”, thonë nga MPB përBuletinin Ekonomik.

Lajme të ngjashme