Publikohen konkluzat nga Samiti i Procesit të Berlinit: Çfarë thuhet për 24 shtatorin? - NACIONALE

Publikohen konkluzat nga Samiti i Procesit të Berlinit: Çfarë thuhet për 24 shtatorin?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë janë publikuar edhe konkluzat nga Samiti i Procesit të Berlinit që u mbajt të hënën në Tiranë. Kosova, në këtë organizim u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti. Çka thuhet në dokument?

Natyrisht që gjatë mbajtjes së këtij samiti, nuk kishte si mos të përmendej sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Qysh me arritje atje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen u pyet mbi këtë ngjarje, madje, edhe nëse Serbisë do t’i vendosen sanskione.

“Aktualisht jemi në një proces në të cilin duhet të përcaktohen faktet në lidhje me sulmin. Jemi në pritje të rezultateve të hetimit dhe në bazë të tyre do të vendosim për hapat e ardhshëm, natyrisht në koordinim me të gjitha vendet anëtare.” – kishte deklaruar ajo.

Njëjtë, u shpreh edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili dënoi sërish sulmin dhe tha se një gjë e tillë është e papranueshme.

“Nuk do t’i shtoj shumë asaj që tha Ursula; e dënojmë sulmin ndaj forcave të policisë së Kosovës. Është diçka që nuk do ta pranojmë dhe është e qartë se vendet e BE dhe Gjermania nuk pranojnë një gjë të tillë. Kërkojmë hetime intensive nga autoritetet e Kosovës dhe një bashkëpunim të autoriteteve serbe për këto hetime.” – tha Scholz.

Çka thuhet në konkluza?

Samiti i Procesit të Berlinit përfundoi. Tashmë janë publikuar edhe konkluzat në faqen zyrtare.

Në pikën Çështjet dypalëshe dhe marrëdhëniet e mira fqinjësoreflitet pikërisht për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, ku liderët evropianë u shprehën edhe një herë të shqetësuar me rritjen e tensioneve.

“Pjesëmarrësit shprehën shqetësimet rreth rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë të cilat dërguan në sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjes së një rreshteri policor e plagosjes së tre të tjerëve, më 24 shtator.” – thuhet në dokumentin e konkluzave.

“Ata theksuan se zhvillimet e fundit kërcënojnë paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon dhe shtyjnë pas përpjekjet e BE-së dhe partnerëve të tjerë strategjik në Ballkanin Perëndimor.” – shkruan tutje në këtë pikë.

Rezoluta e Parlamentit Evropian

Sot nga ora 12:00 pritet që në Parlamentin Evropian të flitet edhe për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi, duke përfshirë edhe situatën në katër komunat veriore.

Aty pritet që të diskutohet rezoluta për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në këtë mbledhje të organit kryesor të BE-së, do të diskutohet pesë draft-rezoluta të ndryshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas raportimeve, në katër prejt këtyre dokumentet që do diskutohen sot, kërkohet që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë dhe ndaj saj të vendosen masa ndëshkuese.

Gjithashtu, eurodeputet pritet që të kërkojnë nga të dyja palët rikthimin në dialog.

Lajme të ngjashme