Pse sipas Schmittit tensionet në veri ishin dhuratë e madhe për Vuçiqin?
Oliver Jens Schmitt është një emër i njohur në Kosovë. Librat e tij për historinë e shqiptarëve kanë tërhequr vëmendje të madhe. Së fundi, ai e ka dhënë një intervistë në të cilën flet për situatën në veri të vendit, me shpjegime fare të qarta. Çka tha Schmitti?
Ai në intervistën për t-online tregoi se si në fakt tensionet në veri të vendit kishin qenë dhuratë e madhe për Aleksandër Vuçiqin, që po përballej me demonstrata masive në vendin e tij.
“Në javët e fundit, ka pasur demonstrata masive të kahasueshme me ato që çuan në rrëzimin e presidentit të asokohshëm Sllobodan Millosheviq më shumë se 20 vjet më parë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq është në presion të madh. Ngjarjet e fundit në Kosovë janë dhuratë politike për të. Ai tash mund të thotë: bashkatdhetarët tanë janë në rrezik, na duhet t’i mbyllim radhët tona.”
Sidoqoftë, sa i përket dhunës së ushtruar në protesta ai e bëri me faj pikërisht Vuçiqin.
Por, në pikën kryesore të intervistës, z. Schmitt megjithëse e mbron Kurtin për veprimet që sipas tij janë në vijë me përkushtimin për “rend dhe ligj”, ai e sheh problematike që ka rrezikuar konfliktin me ShBA-të.
“Është padyshim problematike për Kurtin që tash ai është i pari kryeministër kosovar që rrezikon konfliktin me Shtetet e Bashkuara, fuqinë që mbron atë shtet. Kjo mund ta dobësojë së brendshmi, edhe nëse opozita aktualisht nuk është aq e dukshme. Franca është më pak e rëndësishme për këtë çështje: qeveria e saj nuk ka qenë aq aktive në Ballkanin Perëndimor, dhe ka qenë gjithnjë ngurruese karshi shqiptarëve të Kosovës. Më duket mahnitëse se si ShBA-ja dhe Franca tash janë relativisht të njëanëshme duke fajësuar Kosovën pa e kritikuar gati fare Serbinë.”
Schmitti bën me faj edhe qeverinë gjermane nën Angela Merkelin që sipas tij ka llogaritur te Vuçiqi për “stabilokraci” për vite me radhë.
Sipas tij, as Kurti e as Vuçiqi nuk kishin interes të madh për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit/Brukselit.
Profesori zviceran kërkoi që t’i bëhej më shumë presion Serbisë.
“Do të ishte e mjaftueshme që të kërcënohet liberalizimi i vizave për Serbinë. Kjo do të kishte pasoja katastrofale për Vuçiqin.” – shtoi z. Schmitt, duke përmendur si pasojë tjetër edhe ekonominë.
Por, a i shkuan për shtati edhe dikujt tjetër tensionet në veri të Kosovës? Schmitt ishte mjaft i qartë në përgjigjen e tij.
“Për Rusinë ky eskalim është dhuratë. Kremlini është i interesuar në hapjen e sa më shumë fronteve kundër BE-së që është e mundshme. Dhe Serbia po e përkrah.”
Megjithatë, z. Schmitt u shpreh se Vuçiqi i njihte kufizimet e veta, dhe nëse do të fuste ushtarët serbë në Kosovë do ta dinte se nuk do të merrte tolerim dhe Serbia do të humbiste.
Kujtojmë se z. Schmitt kishte vizituar kryeministrin Kurti në marsin e vitit të kaluar.
Schmitt është drejtor shkencor në departamentin për studime ballkanike në Akademinë e Shkencave të Austrisë.

