“Deklaratë naive”, “Tërhiqe Policinë” – Replikat në distancë ndërmjet Kurtit dhe sekretarit Blinken - NACIONALE

“Deklaratë naive”, “Tërhiqe Policinë” – Replikat në distancë ndërmjet Kurtit dhe sekretarit Blinken

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka folur në lidhje me deklaratën e Antony Blinken, sekretar i ShBA-së, i cili e kundërshtoi aksionin e qeverisë në veri.

Ai ka thënë se kjo deklaratë është e padrejtë. Deklaratë nga Kurti, e cila po vazhdon të kritikohet ashpër në Kosovë.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive.” - ka thënë Kurti për Guardian.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme.” – shtoi tutje ai.

Megjithatë, menjëherë ka pasur një tjetër deklaratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Aty bëhet thirrje që Kosova t’i tërheqë forcat e Policisë nga veriu dhe kryetarët ta vazhdojnë punën nga objektet e tjera.

Deklarata:

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, përfundon komunikata.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, dje ka bërë të ditur se sanksioni i parë për Kosovën është largimi nga ushtrimi “Defender 2023”. Ai ka bërë të ditur se nuk do të ketë vizita bilaterale nga Kosova për në Amerikë, dhe as anasjelltas. Gjithashtu, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lobojnë për Kosovën tek shtetet mos-njohëse.

Tash e tri ditë veriu mbetet i bllokuar nga protestat e serbëve, të cilët po kërkojnë që të largohet Policia e Kosovës nga atje, dhe kryetarët e veriut të mos vendosen nëpër objektet komunale.

Ka pasur me dhjetëra sulme ndaj gazetarëve, kurse si pasojë e përplasjeve me KFOR-in, më shumë se 30 ushtarë mbetën të plagosur të hënën.

Lajme të ngjashme