Pse shkarkimi i Fadil Kodrës nga kryeministri Kurti është i kundërligjshëm? - NACIONALE

Pse shkarkimi i Fadil Kodrës nga kryeministri Kurti është i kundërligjshëm?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkarkimin e Fadil Kodrës nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) po konsiderohet i kundërligjshëm.

I pari i Qeverisë, në këtë rast, nuk i ka respektuar dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë, të cilat tregojnë se kur mund të shkarkohet një zyrtar i lartë publik.

Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura në nenin 22 përcakton se drejtorët ekzekutivë të agjencive janë nëpunës civilë të kategorisë së lartë drejtuese dhe ata trajtohen me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Kodra nuk i ishte nënshtruar asnjë vlerësimi nga Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë para se të shkarkohej.

Kjo, për avokatin e Fadil Kodrës, Faton Fetahu, po konsiderohet si shkelje e rëndë.

Shkarkime të tilla ishin bërë edhe nga qeveritë e kaluara, por Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i kishte rrëzuar ato.

Në këtë mënyrë kishte vepruar edhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti, kur në vitin 2020 e kishte liruar nga detyrat drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezi. Ky i fundit, pasi ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e kishte fituar rastin dhe ishte rikthyer në punë.

Avokati i Fadil Kodrës, Faton Fetahu, ka thënë për gazetën Nacionale se kryeministri Kurti me veprimin e tij ka bërë një varg shkeljesh procedurale.

“Përveç shkeljeve ligjore të karakterit material, shkarkimi i z. Kodra është përcjellë edhe me një varg shkeljesh procedurale, pasi i njëjti, duke qenë zyrtar i nivelit të lartë drejtues, i nënshtrohet dispozitave ligjore për zyrtarët publikë, përveç tjerash, edhe për sa i përket procedurës së vënies para përgjegjësisë, e cila zhvillohet pranë Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Z. Kodra është emëruar nga Qeveria dhe vetëm përmes të njëjtës procedurë mund të shkarkohet”, ka thënë ai.

Duke u bazuar në këto shkelje, ai ka paralajmëruar se do të ankohet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Sigurisht se me autorizim të z. Kodra, do ta vazhdoj ndërmarrjen e veprimeve juridike, fillimisht për ta kontestuar ligjshmërinë e vendimit për shkarkim, pastaj edhe për t’i nisur procedurat penale dhe civile kundër autorëve të lartcekur të shkeljeve ligjore”, ka deklaruar ai.

Gabimin e njëjtë e kishte bërë edhe Avdullah Hoti

Gazeta Nacionale ka hulumtuar edhe ka gjetur raste të tjera, kur edhe qeveritë e mëhershme kishin vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë për shkarkimin e zyrtarëve të lartë në shërbimin civil.

Në këtë mënyrë kishte vepruar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kur në vitin 2020 e kishte liruar nga detyrat drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezi.

Ky i fundit ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke pretenduar se kryeministri e ka shkarkuar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, dhe e kishte fituar rastin.

Këshilli kishte konstatuar se në rastin e Murtezit nuk ishte përmbushur asnjë arsye për lirim nga puna.

Kolegji për shqyrtimin e ankesave konsideron se paaftësia e profesionale e nëpunësve civilë për ushtrimin e detyrave të punës përbën shkak ligjor për përfundimin e marrëdhënies së punës, mirëpo vlerëson se paaftësia duhet të vërtetohet nga udhëheqësi i drejtpërdrejtë gjatë procesit të vlerësimit të rezultateve të punës, dhe nëse dy vite radhazi nëpunësi civil merr vlerësim jo të kënaqshëm, atëherë përmbushet kushti ligjor për lirimin nga Shërbimi Civil, ashtu siç përcaktohet me nenin 61, paragrafin 1, nënparagrafin 1.3 të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Po ashtu, Kolegji konsideron se sjellja e keqe e nëpunësit civil gjatë ushtrimit të detyrave të punës përbën shkak ligjor për përfundimin e marrëdhënies së punës, përkatësisht largimit nga shërbimi civil, siç përcaktohet me nenin 59, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të Ligjit për Zyrtarë Publik, mirëpo Kolegji vlerëson se sjellja e keqe e nëpunësit civil duhet të vërtetohet nga organi kompetent, në këtë rast nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë”, është thënë në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për rastin Murtezi.

Sipas këshillit, në rastin e Murtezit nuk ishte respektuar procedura e paraparë ligjor.

Andaj, duke u bazuar në shkresat e lëndës, meqenëse është konstatuar se ankuesi nuk posedon dy vlerësime jo të kënaqshme për dy vite radhazi nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, po ashtu, ndaj ankuesit nuk është zhvilluar procedurë disiplinore, lidhur me shkeljet e pretenduara në vendimin e kontestuar, Kolegji vlerëson se nuk është përmbushur kushti ligjor për lirimin e ankuesit nga Pozita Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës”, ka konstatuar këshilli.

Në këtë rast, këshilli kishte rikujtuar se ndërprerja e marrëdhënies se punës bëhet vetëm sipas Ligjit për Shërbyesit Publikë.

“Kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se Ligji për Zyrtarët Publikë është i zbatueshëm nga data 09.07.2020. Dhe i njëjti, me dispozitat e nenit 32, paragrafi 3, ka përcaktuar se: Themelimi, ndryshimi apo përfundimi i marrëdhënies së punës në Shërbim Civil bëhet vetëm sipas këtij ligji. Ndërsa neni 85 e ka shfuqizuar Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj”, është thënë në vendimin e KPMShCK-së, duke i përmendur edhe ligjet e tjera që nuk ishin respektuar nga ish-kryeministri.

“Duke u bazuar në nenin 9, paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 dhe nenin 22, paragrafin 1, dhe 2 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, si dhe nenin 2, paragrafin 3, dhe nenin 33 paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të Ligjit për Zyrtarë Publikë, Kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se pozita e Drejtorit të përgjithshëm të ATK-së hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të Shërbimit Civil, andaj si rrjedhojë, marrëdhënia e punës e ankuesit rregullohet me dispozitat e Ligjit për Zyrtarë Publikë”, kishte konstatuar këshilli.

Pas këtij vendimi, ish-kryeministri Hoti ishte detyruar që sërish ta kthente në pozitën e drejtorit të ATK-së Ilir Murtezin.

Arsyet e shkarkimit të Kodrës

Me 13 dhe 14 tetor, Qeveria e Kosovës kishte marrë dy vendime për drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra. Fillimisht, më datën 13 tetor, ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit është pezulluar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe me pas është shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky është vendimi i dytë që merret nga Qeveria për shkarkimin e Kodrës brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Vendimi i parë ishte marrë në muajin korrik, por ky vendim ishte rrëzuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke u cilësuar si i kundërligjshëm.

Ndryshe nga hera e parë, ministri Sveçla tani i ka përmendur disa gjetje te Raportit të Auditimit të vitit 2020 si arsye për pezullimin dhe shkarkimin e Kodrës.

Duke u bazuar në këto gjetje, sipas Sveçlës dhe Kurtit, Kodra ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Me datën 13 tetor 2022, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka suspenduar z. Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, sipas nenit 9 par.2 të Ligjit Nr.04\L-230 për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent. Vendimi i ministrit Sveçla është bazuar në raportin e brendshëm dhe të jashtëm të Auditimit, këtu përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit, të gjeturat e të cilave dëshmojnë keqmenaxhim, dhe me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, vepër kjo e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhen në vendimin e kryeministrit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme