Albin Kurtin e gozhdon para kamerave kushërira e Ukshin Hotit, e shkarkuar nga puna
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përjetuar një përvojë të pakëndshme në 23 vjetorin e tragjedisë në Krushë të Madhe.
Derisa vizitonte varrezat e martirëve, Albin Kurti është përballuar me motrën e dëshmorit, kushërirën e Ukshin Hotit. Në një video të publikuar në facebook, zonja në fjalë, ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit të dijë arsyet pse është shkarkuar si diplomate e Kosovës.
“Më vjen mirë që keni ardhur sot. Por, si është e mundur që unë para një jave jam pushuar nga puna si diplomate e Kosovës, duke dalë nga ky gjak, sakrifica e këtyre dëshmorëve më ka dërguar të shkollohem në Austri dhe unë sot me padrejtësinë më të madhe, para një jave shkarkohem nga puna si diplomate”, dëgjohet duke i thënë ajo, Kurtit.
Kurti është përgjigjur shkurt duke i thënë se “nuk e di këtë gjë, duhet ta kuptosh”.
Ajo këmbënguli edhe një herë duke i thënë Kurtit se dëbimi i diplomatëve ishte i padrejtë.
“E kuptoj, por padrejtësitë po vazhdojnë me të thënë të drejtën. Unë jam betuar para varrit, para gjakut të këtyre dëshmorëve”, thoshte ajo.
Kurti i premton se do të hetojë shkarkimin e saj.
“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikojë për çka bëhet fjalë”, i thotë Kurti.
Kujtojmë që Qeveria Kurti që nga marrja e pushtetit ka vazhduar me shkarkimin e një numri të madh diplomatësh.
Njohësit e çështjeve politike dhe të politikës së jashtme në përgjithësi konstatojnë se Kosova ka çaluar shumë në politikbërjen e jashtme, ku pa dyshim faji më i madh bie mbi udhëheqësen e kësaj ministrie, ministren Gërvalla-Schwarz e cila deri me tash duket e pa vizion në menaxhim të këtij institucioni.
Bisedën e plotë mund t'a ndëgjoni më poshtë në videon e siguruar nga Televizioni Plus:
Albin Kurtin e gozhdon para kamerave kushërira e Ukshin Hotit, e shkarkuar nga puna pic.twitter.com/9dh04w5xHc
— Nacionale (@Nacionaleks) March 26, 2022