Pse Nagip Krasniqi u suspendua një javë pas arrestimit, dhe një ditë para seancës së Kuvendit?
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua gjashtë ditë më parë. Ai po dyshohet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, lidhur me disa tenderë.
Megjithatë, pavarëisht shumë kritikave Krasniqi vazhdoi ta mbante pozitën e kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës deri ditën e djeshme. Dje Bordi Drejtues vendosi që ai të suspendohet.
Por, pse ky vendim nuk erdhi më herët?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë gjatë javës së kaluar në Kuvend kishte sulmuar sistemin prokurorial lidhur me arrestimin e Krasniqit.
“U arrestua kryeshefi i KEK, Nagip Krasniqi. Tash ai është në ndalje 48 orë dhe është sistemi i drejtësisë që merret me çështjen e tij. Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e tij, ky është fakt i opozitës dhe jo i çështjes. Ne e dimë që ka pasë shumë kryeshefa në KEK dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë s’janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë. Prokuroria është e zellshme në këtë rast kur përfitimi i KEK ka qenë 107 mln”, kishte deklaruar Kurti.
Nuk dihet nëse mbrojtja që i bëri Kurti kryeshefit të KEK-ut pati ndikim që ai mos të suspendohej. Megjithatë, fakti që qysh dje u konfirmua seanca e jashtëzakonshme në Kuvend për këtë temë, dhe qysh dje KEK-u e suspendoi Nagip Krasniqin, lë shumë pikëpyetje.
KEK përmes një komunikate për media ka konfirmuar se është pezulluar nga puna Nagip Krasniqi, vendim ky me efekt të menjëhershëm.
“Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.” – është bërë e ditur në komunikatë.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e lidhi seancën e sotme si faktori kryesor pse Nagip Krasniqi u suspendua.
“Sot u pa efekti i thirrjes së seancës së nesërme, por suspendimi i Nagip Krasniqit si hap shfajësues për qeverinë e Albin Kurtit është i pamjaftueshëm. Përveç përgjegjësisë ligjore, për aferat kurruptive me para të taksapaguesve, duhet shkarkim dhe jo vetëm i tij, por i të gjithë Bordit që ka bashkëpunuar e është përfshirë me të në këtë ndërmarrësi kriminale e korruptive”, shkroi Tahiri në rrjete sociale.
Nagip Krasniqi ndodhet në paraburgim si i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale: atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ushtrimit të ndikimit si dhe të konfliktit të interesit.
Arrestimi i Nagip Krasniqit
Paraburgimi u dha me arsyetimin se ka rrezik ndikimi në dëshmitarë e prova nga Krasniqi..
Në dosjen e Prokurorisë të cilën e ka publikuar një pjesë grupi Koha, thuhet se Krasniqi dyshohet për dy kontrata të dëmshme. Njëra me kompaninë “Litëin SA” që kishte vlerë rreth 3.5 milionë euro për kaldaja në bllokun A5.
Tjetra në vlerë prej 60 mijë eurosh për konsulencë ligjore.
Sipas dosjes, dyshimet janë që shefi i prokurimit Ymer Dragusha ishte urdhëruar ta nënshkruante kontratën edhe pse ka pasur rekomandim nga komisioni lidhur me anulimin e tenderit. Kjo pasi kompania nuk po iu përmbahej kushteve.
Si rezultat, është dëmtuar buxheti i Korporatës Energjetike të Kosovës.
KEK-u në një reagim para pak kohësh ka deklaruar se për riparimin e kaldajës së njësisë A5 kontrata në fjalë ishte anuluar më 20 mars 2023 dhe kjo korporatë “nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar”.
Krasniqi po dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për “keqpërdorim i autoritetit e pozitës zyrtare” si dhe për “konflikt interesi”.
Arrestimi i Krasniqit nxiti reagime të ashpra nga partia në pushtet. I madh e i vogël në Vetëvendosje sulmuan sistemin prokurorial në përgjethsi, e Blerim Isufajn në veçanti lidhur me këtë arrestim.

