Pse Berat Buzhala e shpalli 2023-shin “vit historik” të Albin Kurtit?
Gazetari i Nacionales, Berat Buzhala, sapo e ka botuar një opinion në lidhje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe të ardhmen e tij politike që pret t’i përcaktohet pikërisht gjatë vitit në të cilin sapo hymë, 2023. Çka saktë thotë Buzhala?
Ai e nis shkrimin duke i bërë një përmbledhje të shkurtër historisë politike të Kurtit për të ardhur te “tronditja e 14 shkurtit 2021”.
“Edhe pse Albini ka qenë poshtë radarit, ardhja e tij mund të vërehej. Vetëm miopët nuk kanë mundur ta shihnin. Madje, marrë parasysh rrethanat, ardhja e Albinit, aq e fuqishme që ishte, as nuk mund të parandalohej. Pak a shumë, sikur një lojë e shahut. Nëse kanë kaluar mbi dy të tretat e lojës, nëse njëra palë është përgatitur shumë gjatë për një përfundim të caktuar, epilogu as nuk mund të parandalohet. Mundesh, madje, edhe ta njoftosh për lëvizjet e ardhshme. Është e kotë. Gjërat janë futur në rrjedhën e vet.” – shkruan mes tjerash Buzhala.
Cili është problemi?
Prej kohës kur mori dizgjinat e pushtetit, një pyetje po rritet e po rritet vazhdimisht: sa do të qëndrojë Kurti në pushtet?
Opozita ka kërkuar rrëzimin e tij menjëherë, sapo ishin mbushur njëqind ditë, dhe ia kishte parashikuar fundin prej vjeshtës së kaluar e këndej. Simpatizantët e Kurtit ndërkohë, shprehin dëshirat e tyre pa u kursyer.
Buzhala thotë se as nuk beson që do të qëndrojë në pushtet edhe 10 vjet, e as se do të rrëzohet sivjet.
“Jo, unë besoj që kryeministri Kurti ka më shumë hapësirë manovruese sesa kaq. Ka më shumë opsione para vetes. Mund të ndodhë edhe skenari i parë e edhe skenari i dytë. Varësisht se si rrjedhin gjërat. Varësisht se si rrjedhin gjërat këtë vit.”
Pse ky vit kaq i rëndësishëm?
Buzhala edhe më me bindje thotë se pjesa e parë e këtij viti do të jetë kulmi i karrierës 25 vjeçare politike të Albin Kurtit.
Gazetari shprehet se Kurti nuk po ia del që të bëhet bashkëpunëtor serioz e kredibil i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ai u ka shkaktuar atyre pasiguri dhe paqartësi deri në atë shkallë, sa Ambasada amerikane ua ka anuluar vizitën në ShBA disa ministrave të kësaj qeverie. Kjo nuk është një masë që merret me shumë lehtësi nga amerikanët. Është masa e fundit, ose sinjali i fundit, përpara se edhe vetë Kurti të sanksionohet.” – shkruan Buzhala.
Por, sipas tij, megjithatë Kurti nuk e ka çuar situatën në atë pikë sa ajo të bëhet e pakthyeshme.
Por, që ta përsërisim, pse ky vit?
“Viti 2023 ka filluar pa ndonjë pengesë serioze, nëse në ndërkohë dikush nuk kujtohet për të krijuar. Në çdo front, qoftë në këtë të Kosovës, qoftë në atë të Serbisë, por edhe në atë të Bashkimit Evropian dhe të ShBA’së, viti 2023 duket si viti ideal për të përmbyllur një proces të dialogut Kosovë – Serbi, që kishte filluar para më shumë se një dekade. Një hap i madh përpara drejt paqes.” – argumenton Buzhala në opinionin e tij, e të cilin e përfundoi me fjalët: “Kjo është mundësia e Kurtit. Ky është viti i tij historik. Për të dalë fitues prej tij, Kurtit i duhet t’i zhbëjë veten dhe kultin e tij.”
Lexo opinionin e plotë duke klikuar KËTU.


