PSD 3 : 0 Gjykata Speciale, një tjetër prishje për Trendafilovan nga socialdemokratët - NACIONALE

PSD 3 : 0 Gjykata Speciale, një tjetër prishje për Trendafilovan nga socialdemokratët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Socialdemokrate ka shënuar një tjetër fitore përballë Gjykatës Speciale, gjegjësisht kryetares së saj, Ekaterina Trendafilova.

Kjo e fundit, në orët e mbrëmjes së sontme ka anuluar takimin e paraparë në Gjilan. Të njëjtin do ta mbajë në versionin "online".

Arsye për këtë anulim ishte protesta e organizuar nga PSD-ja, e mbështetur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL UÇK-së, ka bërë me dije se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova ka anuluar vizitën e paralajmëruar për nesër në Kosovë.

“Gjithë ju që e keni konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e nesërme në Gjilan, ju njoftoj se kryetarja e Pseudogjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar ardhjen për shkak të protestës. Prandaj, nuk marrim pjesë në protestën e nesërme, për shkak të anulimit të saj. Ju falënderojmë për gatishmërinë!”, ka shkruar në “Facebook” Klinaku.

Ndërkaq, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të thirrur nga të majtët kosovarë, foli kreu i tyre, Dardan Molliqaj.

Ky i fundit tha se fakti që kjo përfaqësuese e kësaj gjykate po e anulon për herë të dytë një vizitë të paraparë, tregon mjaftueshëm që këtu nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por me një gjykatë që tenton të bëjë vetëm PR.

"Anulimi për herë të dytë i kësaj përfaqësuese të kësaj gjykate, e ka konfirmuar, e ka etabluar, e ka vendosur përfundimisht se këtu nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por kemi të bëjmë me një gjykatë që tenton të bëjë PR (Publik relations/shq. Marrëdhënie me publikun). Pra, të bëjë marrëdhënie të mira me publikun, ose të shesë produkte, thua ti që s’është gjykatë, por ndonjë kompani e ndonjë fushe të caktuar të tregtisë ose shitjes", tha fillimisht Molliqaj.

Tutje ai kritikoi edhe qeverinë e Kosovës, që sipas tij nuk po bën asgjë në këtë drejtim.

"Është shqetësuese që Qeveria e Kosovës edhe më tutje nuk e thotë asnjë fjalë për këtë. Ne jemi të bindur që anulimi i kësaj vizite, edhe ashtu të mbyllur, selektive, jotransparente, me qëllime të propagandës, ka ardhur si rezultat i dy faktorëve kyç dhe jo vetëm, ndoshta këta dy janë ata të cilët e kanë përcaktuar".

Në anën tjetër, shtoi se PSD beson se ekzistojnë dy faktor kyç se ka ndodhur një anulim i tillë.

I pari ishte sigurimi i informatave nga terreni se do të ketë protestë të madhe që do të përbëhej nga anëtarë të shumtë të veteranëve, dashamirës të luftës së UÇK-së, ndërsa do të kishte edhe media ndërkombëtare, gjë që shtyu Trendafilovan ta anulojë praninë fizike në Gjilan.

"E para, ishte krejtësisht e qartë nga informatat në teren, nga puna në teren që është bërë, nga mbështetja e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe gjithë qytetarëve që janë dashamirës të luftës së UÇK-së, që pjesëmarrja do të ishte masive. Jo rastësisht, në orët e vona ndodhi edhe anulimi i saj, sepse u mblodhën informatat nga agjencionet e sigurisë, me gjasë edhe të Kosovës në bazë të asaj që ne dimë. E dyta, kjo gjykatë po tenton ta shmang çdo pamje të çdo pakënaqësie të qytetarëve që mund të transmetohet në mediat ndërkombëtare. Ishte e qartë se nesër do të kishte edhe media ndërkombëtare, përveç atyre vendoreve dhe ishte e qartë se aty do të kishte prani të madhe të njerëzve të pakënaqur me këtë gjykatë", përfundoi Molliqaj.

Kjo në fakt ishte fitorja e tretë për Partinë Socialdemokrate përballë Trendafilovas, të parës së Speciales, duke numëruar këtu dy anulime vizitash dhe një dështim aktiviteti me faktor PSD-në.

Duhet përmendur me patjetër faktin që socialdemokratët kosovarë përkundër faktit se nuk janë parti parlamentare, kanë shënuar arritje të shumta në sferën politike.

Lajme të ngjashme