Provimi për rilicencim të instruktorëve-shofer: Nga 56 kandidatë, vetëm 19 e kalojnë me sukses
Me datën 8 dhe 9 shkurt 2023 është mbajtur provimi për licencim për instruktorët shofer - pjesa teorike dhe praktike, si dhe për ripërtëritje të licencimit, për instruktorët që kanë qenë duke punuar deri më tani - pjesa teorike.
Duke folur për Nacionalen nga ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë bërë të ditur se provimit për ripërtëritje të licencës i janë nënshtruar 56 kandidatë, megjithatë vetëm 19 nga ta e kanë kaluar me sukses.
“Për përtëritje të licencës provimit i nënshtrohen vetëm nga pjesa teorike. Provimin e kanë paraqitur gjithsej 56 kandidatë, prej tyre kanë kaluar 19 kandidatë , nuk kanë kaluar 35 kandidatë kurse ka munguar një kandidat,”- thuhet në përgjigjen e MI-së.
Ministria e Infrastrukturës tutje ka bërë të ditur se për licencim për herë të parë, e kanë paraqitur provimin 91 kandidatë - 61 kandidatë për pjesë teorike, ku nga ta e kanë kaluar me sukses vetëm 20.
Ndërsa tek pjesa praktike nga 30 kandidatë, 9 nuk e kanë kaluar.
“Për licencim provimit i nënshtrohen nga pjesa teorike dhe pjesa praktike. Provimin nga pjesa teorike e kanë paraqitur 61 kandidatë prej tyre kanë kaluar 20 kandidatë ,nuk kanë kaluar 38 kandidatë kurse kanë munguar 3 kandidatë. Për pjesën praktike kanë paraqitur provimin 30 kandidatë, prej tyre kanë kaluar 21 kandidatë, ndërsa nuk e kanë kaluar 9 kandidatë," – thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Riprovimi për instruktor shofer mbahet çdo tre muaj në bazë të nenit 21 të Udhëzimit Administrativ.
Probleme për furnizimin me patent-shofer
Kujtojmë se që nga gushti i vitit të kaluar qytetarët e Kosovës janë detyruar të presin disa muaj për të marrë letërnjoftime, pasaporta dhe patent-shofer.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte thënë se situata e krijuar për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë ka vështirësuar furnizimin me lëndën e parë për prodhimin e këtyre dokumenteve.
“Ka vështirësuar furnizimin më lëndë të parë për mungesën e materialeve dhe nuk është e vertëte se gjatë gjithë këtij viti kemi pas probleme. Për shkak të mungesë së lëndës së parë, furnitori ka kërkuar afat shtesë.”, ka thënë ai.
Problemi për furnizim me patent-shofer, pasaporta dhe letërnjoftime është duke vazhduar edhe këtë vit.
Megjithatë, më 27 shkurt, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se kjo situatë ka filluar që të stabilizohet, pas pranimit të kontingjentit të ri të dokumenteve blanko.
“Me qëllim të furnizimit me pasaporta dhe patentë shoferë për ata që janë në pritje si dhe aplikimet e reja, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil, do të punojë me kapacitete të plota të prodhimit ditor dhe angazhimin e stafit edhe jashtë orarit të rregullt të punës. Ju njoftojmë se, qytetarët të cilët kanë aplikuar në muajin shtator dhe tetor dhe ato urgjente, tashmë janë pajisur me dokumente, ndërsa do të vazhdojnë të pajisen me dokumente personale të gjithë ata qytetarë të cilët janë në pritje sipas renditjes, respektivisht datës së mëhershme të aplikimit.” – thuhet në njoftimin e MPB-së.

