Provimi i Jurisprudencës: MD e shkeli Udhëzimin Administrativ që e bëri vetë, njoftoi kandidatët me vonesë - NACIONALE

Provimi i Jurisprudencës: MD e shkeli Udhëzimin Administrativ që e bëri vetë, njoftoi kandidatët me vonesë

11 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Mbajtja e Provimi të Jurisprudencës me datat 13 dhe 14 maj, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 900 kandidatë, ka krijuar shumë probleme dhe parregullsi. Ky provim pritet të mbahet në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe për këtë afat, procesi ka shkuar shumë shpejt, por edhe kandidatët u lajmëruan veç pesë ditë më herët. A e shkeli Ministria udhëzimin administrativ që e krijoi vetë?

Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë të publikuar në faqen zyrtare më 8 maj 2023 është treguar koha e mbajtjes së dy provimeve në kuadër të Jurisprudencës, ndërkohë provimi do të mbahet më 13 dhe 14 maj.

Njoftohen të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar për dhënien e provimit të Jurisprudencës për afatin Maj 2023, se pjesa e Provimit të Jurisprudencës me shkrim do të mbahet me datat si në vijim:

Lënda: E Drejta Penale do të mbahet me datë 13 Maj 2023 (e Shtune) me fillim në ora 10:00, provimi do të zgjasë 4 (katër) orë.

Lënda: E Drejta Civile do të mbahet me datë 14 Maj 2023 (e Diele ) me fillim në ora 10:00, provimi do të zgjasë 4 (katër) orë.” – thuhet në njoftim.

Ministria shkel Udhëzimin Administrativ që e bëri vetë

Paralajmërimi pesë ditë më herët për mbajtjen e provimit, ka bërë që Ministria e Drejtësisë të bie në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të publikuar më 14 nëntor të vitit 2022.

Sipas këtij udhëzimi kandidatët duhet të njofton 10 ditë më herët për mbajtjen e provimit.

Gjë kjo që është shumë qartë e shkruar në nenin 8, paragrafi 2Udhëzimin Administrativ.

Kandidatët do të njoftohen përmes publikimit të njoftimit në ueb faqen zyrtare të Ministrisë, më së paku 10 ditë para datës së caktuar për dhënien e provimit.” – thuhet në udhëzim.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Ministrinë e Drejtësisë për të marrë një sqarim rreth kësaj.

Sipas MD-së numri i madh i kandidatëve ka sjellë problem sigurimin e vendit për mbajtjen e provimit, dhe të njëjtit në momentin e marrjes së përgjigjes pozitive nga Universitetit të Mitrovicës, kanë publikuar datat.

Sipas tyre nëse provimi nuk do të ishte mbajtur me këto data, atëherë do të ishte e pamundur që provimi të mbahet këtë afat për faktin se komisionit ekzistues i kalon mandati me 17.06.2023.

“Në momentin që ne kemi marrë përgjigje pozitive se mund ta shfrytëzojmë hapësirën e Universitetit, menjëherë kemi proceduar me shpalljen e njoftimit për datën e mbajtjes së provimit. Nëse nuk do të procedohej me këtë njoftim për mbajtjen e provimit me këto data, atëherë do të ishte e pamundur që provimi të mbahet këtë afat për faktin se Komisionit ekzstiues i kalon mandati me 17.06.2023 dhe numri i kandidatëve prej më shumë se 930 që prisnin t’i nënshtrohen provimit nuk do ta kishin këtë mundësi.” – thuhet në përgjigjen e MD-së.

Ndër të tjera nga ministria kanë përmendur edhe njoftimin e datës 21 mars 2023, duke thënë se ishte cekur se provimi do të mbahet në maj.

“Për më shumë në shpalljen e datës 21.03.2023 për aplikim për dhënien e Provimit të Jurisprudencës të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, kandidatët kanë qenë të njoftuar se Provimi do të mbahet në muajin Maj 2023. Duke pasur për bazë faktin se kandidatët kanë qenë të njoftuar se Provimi do të mbahet në muajin Maj, kjo ju ka mundësuar që të jenë të përgatitur për të hyrë në provim ata që kanë planifikuar të hynë.”

Duke iu referuar dy arsyejeve të lartëcekura, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ka konsideruar se mosmbajtja e provimi në këtë muaj apo mos mbajtja fare do të ishte shkelje e të drejtave të kandidatëve për provim.

Duke pasur parasysh dy elementet e lartëcekura si skadimi i mandatit të Komisionit të provimit të Jurisprudencës dhe i njoftimit paraparak të kandidatëve se provimi do të realizohet në muajin Maj, marrë parasysh edhe pamundësinë e mbajtjes së provimit të tillë deri në shtator për shkak të skadimit të mandatit të Komisionit, atëherë Ministra e Drejtësisë ka konsideruar se mosmbajtja e provimit në këtë muaj dhe rrjedhimisht mos mbajtja fare e provimit do të ishte shkelje e të drejtave të kandidatëve për provim.” – thuhet në përfundim.

Një kandidate tërhiqet nga gara – shkak afati i shkurtër

Njëra nga kandidatët, F.B. ka thënë për Gazetën Nacionale se për shkak të afatit të shkurër nga njoftimit dhe deri tek mbajtja e provimi, ka vendosur që mos të hyjë fare.

“Si kandidate e cila i ka plotëso kushtet për me hy në provim të Jurisprudencës, pas njoftimit të cilin e kam pranuar përmes e-mailit me datën 08 Maj, në të cilin u njoftuam për kohën dhe vendin e mbajtjes së provimit të Jurisprudencës për pjesën me shkrim e cila është parapare të mbahet me datën 13 dhe 14 Maj, vendosa që për shkak të këtij afati kohor tepër të shkurtë nga njoftimi e deri tek data e mbajtjes se provimit, të mos hyj fare.” – ka thënë ajo.

Kandidatja në fjalë ka thënë se Ministria e Drejtësisë në këtë rast ka bërë shkelje ligjore, duke mos e respektuar Udhëzimin Administrativ.

“Ne jemi njoftuar vetëm 5 ditë më herët, kjo është shkelje ligjore pikërisht nga Ministria e Drejtësisë që e kanë sjellë në fuqi këtë udhëzim. Përpos kohës tepër të shkurtë të njoftimit po ashtu afati i pagesës që është caktuar të kryhet vetëm brenda një dite me është dukur shumë malltretues dhe jonjerëzor ngase jo të gjithë kandidatet jetojnë në Prishtinë.” – ka thënë ajo.

Ajo tutje ka përmendur edhe ndërrimin e vendit ku do të mbahet, duke i quajtur të gjitha si tendencioze, pasi sipas saj është bërë për shkak të numrit të lartë të kandidatëve dhe që disa me humbë afatin.

“Pastaj edhe vendi i mbajtjes se provimit i cili është caktuar të mbahet në Mitrovicë, kur me herët është mbajtur gjithmonë në Vushtrri nuk me duket aspak i arsyeshëm. Të gjitha këto ndryshime dhe vendime të Ministrisë me duken tendencioze për shkak te aplikimit te madh kandidateve, me qellim që disa të humbin afatet, disa të mos mbërrijnë ndoshta në kohë e te ju humbet e drejta për të hyrë në provim.” – ka shtuar ajo.

Gazeta Nacionale ka raportuar se edhe gjatë ditës kur kandidatët për provim të Jurisprudencës kanë kryer pagesat janë maltretuar, për faktin se 930 kandidatë janë detyruar që të kryejnë pagesat vetëm brenda një dite.

Ata janë detyruar që në Ministrinë e Drejtësisë të marrin fletëpagesat, t’i paguajnë e t’i dorëzojnë brenda ditës.

Lajme të ngjashme