Protestohet kundër marrëveshjes së Ohrit, kërkohet edhe dorëheqja e Kurtit
Duke filluar nga ora 14:00, Partia Socialdemokrate do të mbajë protestë sot në sheshin "Zahir Pajaziti". Përmes kësaj proteste do të kundështohet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars. Kërkesë tjetër e protestuesve është edhe dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
PSD-ja po vlerëson se kryeministri Kurti, pas marrëveshjes së Ohrit, më s'ka legjitimitet, prandaj dorëheqja, sipas kësaj partie, për Kurtin është e paevitueshme.

E kreu i PSD-së Dardan Molliqaj, u shpreh se marrëveshja është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën.
“Prandaj rezistenca duhet të jetë e përbashkët e masive. Nesër, më 25 mars, protestojmë duke e kërkuar dorëheqjen e Kurtit. Ky kryeministër nuk ka legjitimitet të nënshkruajë marrëveshje të tillë.... Rrenat që pushteti i përdorte për ta arsyetuar marrëveshjen, i patën këmbët e shkurtra. Propaganda nuk u eci. Revolta e madhe qytetare është dëshmia për këtë"- tha Molliqaj.
“Tashmë, 1 javë pas dakordimit në Ohër, po kuptojmë qartë se çka lë të kuptojë Plani Evropian dhe Aneksi i Zbatimit. Në njërën anë, marrëveshja e normalizon mosnjohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe, me vullnetin politik të Kurtit, Kosova heq dorë nga kërkesa për njohje. Në anën tjetër, Kosova, me vullnetin politik të Kurtit, merr përsipër të krijojë asociacion njëetnik me autonomi substanciale si formë e pushtetit paralel përballë pushtetit qendror”- tha Molliqaj.

Çka tha Kurti?
Megjithëkëtë, në fjalën e tij para deputetëve të Kosovës të enjtën e 23 marsit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, i paraparë në marrëveshjen Kosovë - Serbi, e arritur së fundmi, nuk e nënkupton vetadministrimin.
Këto deklarata ai i bëri gjatë raportimit të enjten në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen Kosovë - Serbi, për të cilën të dyja vendet arritën pajtim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ai iu përgjigj kritikave të opozitës në lidhje me pikën 7 të kësaj marrëveshjeje, e cila e parasheh “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
“Vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim”- tha Kurti, duke kërkuar nga deputetët opozitarë që të mos përdorin “nocione të skajshme”.
Kryeministri Kurti tha para deputetëve se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë - Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara.
Në marrëveshjen e arritur më 18 mars në Ohër, specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën.
Kjo e përfshin edhe themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilin u arrit në vitin 2013 dhe u specifikua në vitin 2015.
Kjo marrëveshje, që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti edhe gjatë kohës sa ai ishte në opozitë.
“Aleatët tanë na kujtojnë që marrëveshjet janë arritur mes qeverive të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme, edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë, unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne i lidhim”- tha ai.
Kurti ritheksoi se do të angazhohet që nuk do të ketë një pushtet ekzekutiv mes nivelit qendror e lokal në Kosovë përmes këtij asociacioni.
“Çdo gjë do ta konsiderojmë nga prizmi i kushtetutës sonë, i ligjshmërisë sonë”- tha ai.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për marrëveshjen drejt normalizimit, e cila njihet ndryshe edhe si Propozimi Evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se ajo nuk është nënshkruar, është marrëveshje e obligueshme për palët.

