Protesta kundër Gjykatës Speciale, Tahiri: Numri i qytetarëve do të jetë i madh, mesazhi do të jetë i qartë
Abelard Tahiri, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se beson se në protestën e sotme kundër Gjykatës Speciale numri i pjesëmarrësve do të jetë i madh dhe se mesazhi që jepet nga aty do të jetë i qartë.
“Ju e dini që para kësaj ka qenë edhe një marsh: marshi për demokraci, i cili ka qenë i organizuar nga “Liria ka emër”. Në atë periudhë kemi marrë pjesë, ka qenë dy ditë para fillimit të gjykimit. Tani jemi pothuajse në fund të gjykimit dhe OVL thërret protestë. Siç kemi dalë në atë kohë, do të jemi edhe sot për të kërkuar drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë”, tha ai për Ekonomia Online.
“Nuk kam dyshim që numri i qytetarëve do të jetë i madh, sepse sot ajo çka kërkojnë qytetarët është drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së. Më e pakta çka mund të bëjmë është të kërkojmë drejtësi me standarde ndërkombëtare, mos të jetë me prova të manipuluara nga shërbimet serbe, sepse ajo ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha”, tha Tahiri.
“Drejtësia duhet të vendoset mbi fakte e jo mbi manipulime të Serbisë. Prezenca e madhe e qytetarëve të Kosovës, të cilët kërkojnë drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së është një mesazh i qartë besoj që do të lexohet dhe të kuptohet drejt. E shoh fundin me një proces që padyshim që shpresojmë dhe besojmë që udhëheqësit e UÇK-së të jenë në Kosovë në fund të këtij procesi dhe të triumfojë lavdia e UÇK-së”, theksoi ai.