Protesta e fermerëve: Pushteti flet për "presione të jashtme" në sektorin e qumshtit, opozita ngre alarm për prodhuesit vendor - NACIONALE

Protesta e fermerëve: Pushteti flet për "presione të jashtme" në sektorin e qumshtit, opozita ngre alarm për prodhuesit vendor

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Fermerë në Drenas protestuan duke derdhur qumështin në kanal dhe rrugë, si shenjë revolte ndaj rënies dramatike të çmimeve.

Çmimi i blerjes për ta ka rënë nga 48 centë në 27 deri në 30 centë për litër.

Fermerët thonë se prodhimi vendor, kësisoji, është bërë i pamundur.

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, mbajti konferencë për shtyp pas protestës.

Ai foli për zhvillime “të rënda” në treg.

"Sektori i qumështit është duke u përballur me presione të jashtme", deklaroi Muja.

Sipas tij, ka një “tendencë shqetësuese” për ndryshim të përbërjes së qumështit tregtar.

"Zakonisht tendenca është për ta ndryshuar përbërjen yndyrore, yndyrat shtazore me yndyrat bimore", tha ministri.

Muja shtoi se vaji i palmës dhe qumështi pluhur po hyjnë gjithnjë e më shumë në zinxhirin e prodhimit.

Të dhënat zyrtare tregojnë rritje të importit të qumështit pluhur, sipas tij.

Ministri e lidhi drejtpërdrejt me dobësimin e fermerëve vendorë.

"Importi i qumështit pluhur është rritë korrespondent me rënien e fuqisë blerëse të fermerëve", u shpreh ai.

Muja hodhi poshtë pretendimin se importi është shkaku i drejtpërdrejtë i uljes. Gjetja e institucioneve tregon diçka tjetër.

"Ajo çfarë kemi gjetur është që çmimi për litër në fermë ka qenë një moment vendimtar në nëntor të vitit 2024, kur unë gjykoj që ka pasur një ulje të koordinuar të çmimit që i paguhet fermerëve", tha Muja.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, e cilësoi situatën si të papranueshme.

"Është për keqardhje pamjet e derdhjes së qumështit në lumenj e në rrugë në këtë kohë, e kjo për shkak të uljes së çmimit dhe mungesës së vizionit për t'i përkrahur prodhuesit vendorë", deklaroi Haradinaj.

Ai solli në kujtesë epokën e taksës njëqind për qind ndaj Serbisë si model mbrojtjeje të prodhimit vendor.

Nga LDK-ja, deputetja Hykmete Bajrami kërkoi masa konkrete fiskale.

Propozimi i saj ishte për subvencioim të të gjithë zinxhirit.

"Qeveria duhet ta subvencionojë qumështin; krejt zinxhirin: fermerin, përpunuesin dhe tregtarin, deri në masën që qumështi vendor të bëhet konkurrues", tha Bajrami.

Ajo propozoi diferencë çmimi prej njëzet centësh për litër si prag konkurrueshmërie ndaj qumështit të importuar.

"Dallimi në çmim duhet të jetë deri në 20 cent/litër; atëherë konsumatori e zgjedh qumështin vendor", shtoi deputetja.

Bajrami e vendosi krizën në kontekstin e gjerë ekonomik. Sipas saj, vendi importon shtatë miliardë euro mallra në vit.

Lajme të ngjashme