Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Donika Gërvallës
Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka ngritur aktakuzë ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
Ajo ka bërë të ditur se aktakuza ndërlidhet me veprën penale rreth mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.
Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.
Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.