Prokuroria në Mitrovicë del me njoftim për hetimet pas videoincizimeve të Nacionales
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dalë me njoftim pas publikimit të videoincizimeve nga Gazeta Nacionale, ku nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq, shihej duke konsumuar drogë.
Nga Prokuroria, përmes një njoftimi kanë konfirmuar, siç bëri të ditur edhe Nacionale më herët, nisjen e hetimeve.
Po ashtu, do të mblidhen prova duke përfshirë identifikimin e personave, videoincizimet e Nacionales dhe prova të tjera relevante.
Krejt këto, sipas Prokurorisë, janë në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.