Prokuroria e Gjakovës me komunikatë për rastin tragjik: Bashkë me Policinë po ndërmarrim veprime për zbardhjen e rastit
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka lëshuar komunikatë në lidhje me rastin tragjik ku humbën jetën tre të mitur pas shembjes së një shtëpie të pabanueshme.
Prokuroria ka cekur se së bashku me policinë e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur rastin në tërësi.
E plotë:
Gjakovë, 2 shkurt 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast "Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm".
Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.