Prokurori skandaloz i dyshuar në aferën e 150 mijë eurove raportohet se u punësua si avokat në KEDS - NACIONALE

Prokurori skandaloz i dyshuar në aferën e 150 mijë eurove raportohet se u punësua si avokat në KEDS

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emri tij është bërë shumë i njohur që nga java e kaluar. Haxhi Dërguti, ish-kryeprokuror i Apelit, që ishte pensionuar në një “ndejë” plot me shampanjë me njerëzit e fuqishëm të sistemit prokurorial, është edhe një “supermen” i punësimeve. Sipas një hulumtimi të Shqip.com, Dërguti, që vazhdon të jetë në arrati, ka disa familjarë të “rehatuar” në KEDS. E Dërguti del se e ka “rehatuar” edhe veten në KEDS.

Siç merr vesh nga burimet e saj gazeta Nacionale, Dërguti ishte punësuar edhe vetë në KEDS pas pensionimit nga jeta si prokuror në sistemin shumë të kritikuar prokurorial në Kosovë.

Burimet treguan se ka një kohë që z.Dërguti, që ka lidhje të fuqishme në prokurori, ishte kontraktuar si avokat nga ana e kompanisë turke. Pra burimet theksojnë lidhjet e fuqishme të Dërgutit ishin ato që fascinuan kompaninë KEDS, duke rezultuar me punësimin e tij në firmën me pronar turk. Dërguti thuhet nga burimet e Nacionales se i ka premtuar menaxhmentit të KEDS-it ndikimin e tij nëpërmjet lidhjeve të forta në Prokurori me lëndët e kësaj kompanie.

Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të KEDS për të marrë një qëndrim nga ana e KEDS-it në lidhje me punësimin e z.Dërgutit në kompaninë e tyre. Por, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, deri në momentin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, z. Buzhala u ka konfirmuar një lajm tjetër disa miqve të tij gjatë kohës sa po pinin nga një çaj.

Superlajm! Nga 750 euro çmimi për megavat orë (MWh) i rrymës elektrike sot ka rënë në 150 euro. Optimizëm se do të kemi rrymë gjatë dimirt, e konfirmon zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala”, shkroi qytetari Gani Tershnjaku, që shihet në foto me Buzhalën.

I fuqishmi Haxhi

Në një hulumtim të Kallxo.com, Dërguti del të jetë një njëri me shumë ndikim në sistemin prokurorial të Kosovës. Ai dyshohet të jetë i përfshirë në një aferë korruptive që kap një vlerë prej 150 mijë eurove, të cilat dyshohet t’i kenë marrë nga biznesmeni Sali Dakaj.

Dy persona kishin premtuar që do t’ia zgjidhnin një lëndë përmbarimore biznesmenit Sali Dakaj, i cili duhet të jeptë 300 mijë euro rryfshet për këtë çështje. E kjo shumë e majme, planifikohej t’i shkonin ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti, ndërsa dyshohet se sekserët ishin Hasan Morina e Liridon Fandaj.

O pasha 5 fëmijë që i kam, nuk e kam ditë që ke dhanë pare”, ishte fjalia e shumëpërdorur nga Dërguti, familjarët e të cilit janë të punësuar në KEDS.

Në hulumtimin e Shqip.com, theksohet se ish-kryeprokurori i Apelit përgjatë viteve e kishte punësuar djalin, Hajdinin, nusen e djalit, Alisa Manaj-Dërguti, dy dajë – Fidan e Bledar Dushi dhe një djalë të baxhanakut, Arbnor Morina, në kompaninë KEDS.

E siç ndodh zakonisht, ai këto punësime i kishte mohuar fillimisht, për t’i konfirmuar më vonë të gjitha.

Kërkon se kam të punësuar unë aty”, ka thënë Dërguti fillimisht për Shqip.com, por që pak minuta më vonë tha se e ka vetëm djalin. “Veç djalin e kam”.E më vonë, ai i konfirmon edhe punësimet e tjera, transmeton Nacionale.

Ndryshe, kujtojmë që z.Dërguti vazhdon të jetë në arrati, teksa në një reagim për media theksonte se po qëndron jashtë Kosovës për kontrolla mjekësore.

Siç kam deklaruar edhe në disa prononcime për disa media, meqë gjendem jashtë vendit për një vizitë lidhur me disa kontrolla mjekësore të paracaktuara me herët, unë sapo të përfundojë kontrollat mjekësore, dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur do të kthehem në Kosovë, ku do të paraqitem vullnetarisht, menjëherë para organeve kompetente ligjzbatuese, me qëllim të sqarimit dhe ballafaqimit kundër të gjitha pretendimeve të ngritura ndaj meje dhe në emër timin, në përmbajtjen e këti emisioni, dhe me qëllim që e vërteta të zbardhet deri në fund.”, shkruante Dërguti në një reagim për media.

Për aferën 150 mijë euroshe, Prokuroria e Shtetit ka paralajmëruar masa.

Lajme të ngjashme