Projektligji i senatorëve amerikanë s'përmend njohjen reciproke: "Ballkani i Hapur ka potencial të madh" - NACIONALE

Projektligji i senatorëve amerikanë s'përmend njohjen reciproke: "Ballkani i Hapur ka potencial të madh"

1 javë më parë

nga NACIONALE

Senatorë amerikanë nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane kanë paraqitur një projektligj që mësyn mbështetjen për Zhvillimin ekonomik, tregëtinë dhe luftimin e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Aty mbështetet Ballkani i Hapur, ndërkohë që fatkeqësisht nuk flitet fare për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Qëllimi i deklaruar i Projektligjit është “rritja e tregtisë dhe investimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Ai u paraqit nga senatorja e Partisë Demokrate me emrin Jeanne Shaheen.

Kjo iniciativë mendohet të jetë e lidhur me rritjen e shqetësimeve mbi ndryshimet e rrethanave të gjithëmbarëshme pas invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ballkani i Hapur

Projektligji i konsideron “përpjekjet ekonomike rajonale ekzistuese... dhe iniciativën e Ballkanit të Hapur, me potencial shumë të madh për të përmirësuar kushtet ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që promovohen gjithëpërfshirja dhe transparenca.”

Qëndrimi zyrtar i politikës amerikane është përcjellur me kurreshtje të madhe në opinionin publik, veçanërisht në Kosovë. Qeveria aktuale – e mbështetur edhe nga partitë opozitare – i ka dalë kundër kësaj nisme, për shkak të mos-njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Serbia dhe po ashtu shkaku i mungesës së balancit ekonomik me Serbinë.

Projektligji nuk ka përmendur pengesat politike për rritjen e bashkëpunimit mes ShBA-ve dhe gjashtëshes së shteteve të Ballkanit Perëndimor.

I dërguari special i administratës së presidentit amerikan Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kishte dhënë mbështetje Ballkanit të Hapur nëse “mbetej nismë ekonomike e nuk bëhej politike.”

“Me të vërtetë inkurajoj që kjo iniciativë të mbetet ekonomike, dhe të mos bëhet projekt politik. Është një projekt i rëndësishëm ekonomik dhe për aq sa mbetet ekonomik e i fokusuar në krijimin e mundësive për popujt e rajonit, ju do të keni më shumë mbështetje.” – kishte thënë ai në Forumin e Ballkanit të Hapur të mbajtur më 8 qershor në Ohër.

Politika

Një shpërfillje të çështjeve politike që vazhdojnë të bëjnë probleme të mëdha në rajonin tonë e ka bërë edhe Projektligji në fjalë.

Nuk janë përmendur problemet e mëdha e në rritje në Bosnje dhe Hercegovinë, e po ashtu nuk është përmendur as njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në 32 faqet e këtij Projektligji, politika si emër përmendet vetëm një herë, ndërkohë që si mbiemër por pa ndonjë rëndësi të madhe.

Sidoqoftë, aty i kushtohet një rëndësi e madhe korrupsionit dhe luftimit të tij.

“Korrupsioni vazhdon ta lëndojë Ballkanin Perëndimor dhe paraqet një prej pengesave më të mëdha për të rritur zhvillimin ekonomik dhe politik në rajon,” – shkruhet në Projektligj.

Duke folur në lidhje me këtë iniciativë, senatorja Jeanne Shaheen shprehu qëllimet prapa këtij Projektligji:

“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njejtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një ligjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik,”

Lajme të ngjashme