Projekti i Spitalit Regjional të Ferizajt pritet të përfundoj shpejtë, thotë ministri Vitia
Gjatë ditës së sotme në komunën e Ferizajt ka qëndruar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia,. Atje, Vitia është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu.
Pas takimit, kryetari Aliu u ankua se shëndetësia e Ferizajt është me kapacitete të kufizuara, edhe me spitale, edhe me resurse humane.
Mirëpo, sipas tij, lajmi i mirë për këtë komunë është se do të përfundojë ndërtimi i Spitalit Regjional të Ferizajt dhe i QKMF-së së re, “çështje që kanë mbetur të papërfunduara” e të cilat ai i cilësoi si padrejtësi për Ferizajn.
“Ferizaj vazhdon të ketë një situatë të tillë edhe sot, pavarësisht se në kohën e pandemisë e kemi menaxhuar me sukses falë bashkëpunimit të të gjitha niveleve të shëndetësisë, primar, sekondar dhe terciar, por Ferizaj mbetet me 3400 m2 të spitalit regjional të Ferizajt”.
“Lajmi i mirë është se jemi dakorduar për dy çështje jetike për Ferizajn, ndërtimi i Spitalit Regjional të Ferizajt dhe ndërtimi i QKMF-së së re. Jemi dakorduar që këto çështje të mbyllen si procese. Shëndetësia e Ferizajt është me kapacitete të kufizuara edhe me resurse humane të të gjitha kategorive, prandaj ndërtimi i spitalit dhe QKMF-së do të plotësohen me stafin mbështetës,”- tha Aliu.
Ndërsa, ministri Vitia tha se punimet do të fillojnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të zgjidhet ky problem.
“Është në vijë buxhetore, nuk ka qenë lehtë as për mua. Në 2020 kur kam ardhur ka qenë ky problem në tavolinën time, e përmenda edhe në 2021 njësoj. Kjo është arsyeja pse jemi sot këtu, menjëherë kanë filluar disa procedura sepse për shkak të reshjeve, të kohës, spitali ishte tash nën dhe kemi filluar menjëherë si ministri që njëherë ta zbrazim ujin” tha Vitia.
“Sa më shpejt që është e mundur do të fillojnë punimet, apo do të vazhdojnë në fakt punimet në ndërtesën aktuale” tha Vitia.