Profesor Smajljaj: Është mashtrim të kërkosh cilësi në arsim nga sindikatatat, politika e ka përgjegjësinë
Grevës në arsim si duket po i vjen fundi, me sindikatën që ka kërkuar nga anëtarësia të shqyrtojë propozimin që mësimi të fillojë më 3 tetor. Kjo, natyrshëm, ka zgjuar shumë interpretime politike megjithëse mësimdhënësit u lanë në fatin e keq të varfërimit nga inflacioni.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajljaj, ka kritikuar personat që po akuzojnë sindikatat për cilësinë e dobët në arsimin kosovar.
“Sindikatat nuk bëjnë politika për arsimin. Të kërkosh politika për cilësi nga sindikatat, është mashtrim i qytetarëve.” - ka thënë ai.
Smajljaj vazhdimisht ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria Kurti për mos-nisjen e reformave të premtuara në fushën e arsimit, por jo vetëm.
Ai e ka cilësuar ndërprerjen e grevës si një tjetër sakrificë nga ana e tyre.
Statusi i plotë:
Nëse sindikalistët i lëshojnë rrugën qeverisë, i hapin shkollat, dëshmojnë edhe një herë se janë të gatshëm për sakrificë për hirë të fëmijëve, dëshmojnë pjekuri e urtësi.
Kushdo që kërkon cilësi në arsim, ta kërkojë atë nga politika, jo nga sindikatat. Përgjegjësi politike e institucionale për arsimin ka politika.
Politika mund ta ndërtojë dhe mund ta rrënojë cilësinë në arsim.
Sindikatat nuk bëjnë politika për arsimin. Të kërkosh politika për cilësi nga sindikatat, është mashtrim i qytetarëve.
Mësimdhënia është një prej shumë elementeve të cilësisë në arsim, e cila mund të rregullohet nga politika, nëse ka dije e vullnet.