Procesi i Berlinit e Plani i Rritjes i BE-së: Dy paralajmërimet e frikshme të emisarit gjerman për Kosovën - NACIONALE

Procesi i Berlinit e Plani i Rritjes i BE-së: Dy paralajmërimet e frikshme të emisarit gjerman për Kosovën

2 javë më parë

nga NACIONALE

Paralajmërime të frikshme për Kosovën janë bërë këtyre ditëve nga i dërguari i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, dhe përjashtimi nga marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit janë masat ndaj Kosovës nëse bllokon CEFTA-n.

Kosovës po kërkohet që të heq ndalesën ndaj mallrave serbe dhe në këmbim të kësaj, t’i ofrohet që ta heq UNMIK-un si përfaqësues në CEFTA dhe përfaqësohet me Kosovë.

Vështirësi për Planin e Rritjes së BE-së

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin ka thënë se do të jetë e vështirë për Kosovën që t’i bashkohet Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se më ketë gjë bllokohet populli i Kosovës dhe nuk mund të bllokohen të tjerët.

Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkangjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së. Konkretisht për Kosovën mund të jetë pengesë në atë planin CEEPA. Pasojat, pra mund të jenë për popullin, për qytetarët. Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët…” – tha ai në një intervistë për RTK të premtën.

Për këtë plan zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi mburrje me atë se çfarë mund të përfitojë Kosova.

Plani i Rritjes, siç është bërë e ditur nga Komisioni , synon të forcojë përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me parimet, ligjet dhe standardet e BE-së, me qëllimin përfundimtar për të lehtësuar anëtarësimin e rajonit në BE.

Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore: Integrimi me tregun e përbashkët të BE-së, Tregu i përbashkët rajonal (CRM), Angazhimi ndaj reformave dhe Asistenca Financiare.

Vlera e këtij plani është rreth 6 miliardë euro.

Rreziku nga përjashtimi prej Procesit të Berlinit

Ndërkohë, ditë më parë, pas vizitës që pati në Kosovë, emisari gjerman paralajmëroi se Kosova mund të përjashtohet nga marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit.

Sarrzini gjatë një interviste në KTV javën e kaluar tha se Gjermania do t’i shtyjë përpara marrëveshjet e Procesit të Berlinit edhe pa Kosovën.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka thënë se masat nuk kanë të bëjnë me tregtinë por janë vendosur për shkak të sigurisë.

Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe Kryeministri Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejmë të rajonit” – ka thënë këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj.

Ndërkaq, njohësi e ekonomisë kanë paralajmëruar pasoja ekonomike nëse Kosova përjashtohet nga nismat rajonale.

Profesori i Ekonomisë, Bashkim Mustafa ka thënë për Nacionalen nëse Kosova largohet nga marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, kjo masë mund të prodhojë pasoja të pariparueshme në ekonomi.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane ka bërë thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të të përmbahet nga masat që e përjashtojnë Kosovën nga nismat rajonale.

Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron se qasja aktuale mund të çojë në izolim ekonomik e politik dhe “do të sillte pasoja të paparashikueshme për Kosovën, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.”

Mbete të shihet nëse Kosova do të pranojë kompromisin gjerman duke pasur parasysh paralajmërimet që po bëhen në rast se nuk ka përparim në këtë drejtim.

Lajme të ngjashme