Problemi i kryeministrit Kurti me pretendimin e rritjes mesatare ekonomike prej 6.2% përgjatë qeverisjes
Ndonëse Kosova nuk e përjetoi as për së afërmi nivelin e suksesit të rritjes ekonomike në fillim të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti vazhdon të pretendojë se që nga marrja e pushtetit, rritja e Bruto Produktit Vendor të Kosovës ka pasur trend pozitiv. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Kurti përsëriti atë që e cilësoi si “vazhdim i trendit pozitiv të rritjes sonë ekonomike”. Ku qëndron problemi me përdredhjet e Kurtit?
Deklaratat e kreut të Qeverisë së Kosovës shtrembërojnë realitetin e trendit të rritjes reale ekonomike të vendit pasi nuk përkojnë me trendin e publikimit të ASK-së të “Rritjes reale të BPV-së tremujore krahasuar me periudhën paraprake përkatëse të vitit paraprak.”
Sipas publikimit, përderisa Kosova përjetoi rritje të konsiderueshme në fillim të vitit 2021 – duke arritur kulmin prej 16.32 për qind në pranverë – kjo rritje nuk vazhdoi.
Krahasuar me muajt paraprak, norma e rritjes së BPV-së filloi të bjerë ndjeshëm pas tremujorit të dytë të 2021-ës, duke vazhduar në një trajektore në rënie deri në tremujorin e dytë të 2023-ës.
Pra, kur qeveria e Kryeministrit Kurti mori detyrën në mars të vitit 2021, rritja e BPV-së ishte në rreth 16 për qind.

Pavarësisht kësaj, Kurti në vazhdimësi ka marrë kredi për rritjen 10.7 për qind të 2021-ës dhe mesataren prej 6.2 për qind të BPV-së në tre vitet e fundit.
Rritja ekonomike e fillimit të 2021-ës ‘që e shpëtoi Kurtin'
Rënia e rritjes së BPV-së pas mesit të vitit 2021 shpërfaq një kontrast të fortë me retorikën e Kurtit. Deri në vitin 2022, rritja reale e BPV-së së Kosovës kishte rënë në 4.28 për qind, dhe në vitin 2023, ajo u ul më tej në 4.07 për qind. Këto shifra pasqyrojnë një trajektore ekonomike tejet të moderuar – larg “prirjes pozitive” që Kurti pretendon të ketë mbajtur vendi.
Rritja e shkurtër e rritjes së BPV-së së Kosovës në fillim të vitit 2021 i atribuohet në masë të madhe rimëkëmbjes pas pandemisë dhe lehtësimit të kufizimeve, jo domosdoshmërisht iniciativave të qeverisë Kurti apo qeverisë paraardhëse.
Shumë vende në rajon përjetuan rikthime të ngjashme, të nxitura nga kërkesa në rritje e konsumatorëve dhe ringjallja e aktivitetit ekonomik pas ngadalësimit global të shkaktuar nga COVID-19.
“Rritja e BPV-së në gjysmën e parë të vitit 2021 ishte përgjithësisht në përputhje me pritshmëritë. Rezultatet e PBB-së globale për tremujorin e parë ishin më të forta se sa pritej, duke pasqyruar përshtatjen e vazhdueshme të aktiviteteve ekonomike ndaj pandemisë dhe kufizimeve të lidhura me të, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të politikave në shumë vende.” – thuhej ndër të tjera në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të titulluar “Parashikimi Ekonomik Botëror, Tetor 2021: Rimëkëmbja Gjatë një Pandemie”, për bumin post-pandemik në botë.