Vazhdojnë avaritë në termocentrale: Defekti i radhës në njesinë B1 detyron ndërprerjen e operimit - NACIONALE

Vazhdojnë avaritë në termocentrale: Defekti i radhës në njesinë B1 detyron ndërprerjen e operimit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Sfidat teknike dhe ndërprerjet e paparashikuara janë kthyer në normalitetin e zymtë të sektorit energjetik në Kosovë. Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar sot për një tjetër defekt , kësaj radhe në Termocentralin "Kosova B", duke detyruar ndaljen e njësisë B1.

Problemet në këtë njësi u shfaqën gjatë paradites së sotme. Sipas njoftimit zyrtar të korporatës, “në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës”, defekt ky i cili u vërejt fillimisht “rreth orës 10:00”.

Përballë kësaj situate, e cila rrezikonte të përshkallëzohej në dëme më të mëdha për pajisjet e vjetruara, inxhinierët u detyruan të marrin masa. KEK njoftoi në Facebook se “pas vlerësimit teknik dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar operimin e sigurt, si rezultat i harxhimeve të larta të ujit dhe rrezikut për dëmtime më të mëdha teknike, është vendosur që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00”.

Edhe pse KEK njofton se “operimi i sistemit vazhdon në mënyrë stabile me 4 njësi gjeneruese”, dalja e B1 nga sistemi rikonfirmon vështirësitë e Kosovës për të mbuluar kërkesën vetëm me kapacitete të brendshme.

Kjo situatë rikthen frikën e kaosit energjetik të përjetuar vetëm tre javë më parë, kur lagje të tëra të Prishtinës dhe komuna të tjera u përballën me reduktime masive.

Bizneset, nga rrobaqepësitë e barnatoret e deri te furrat dhe kafiteritë, mbetën në terr ose u detyruan të ndezin gjeneratorët, duke rritur kostot operacionale. Për më tepër, në mes të dimrit, ndërprerja e energjisë godet rëndë amvisëritë që varen nga rryma për ngrohje.

Përveç pasigurisë fizike të furnizimit, qytetarët po goditen rëndë edhe financiarisht, duke përjetuar një spirale të pandalshme shtrenjtimesh. Pas rritjes së miratuar nga ZRRE vitin e kaluar prej 16.1 për qind, viti 2026 rrezikon të sjellë një tjetër tronditje tarifore.

Në kërkesën e re të KESCO-s për të hyrat maksimale, 229.04 milionë euro kërkohen vetëm për të blerë energjinë e nevojshme. Këtu shfaqet një disproporcion drastik: Importi, ndonëse zë një pjesë margjinale të sasisë prej vetëm 9%, "gllabëron" pjesën e luanit të buxhetit, duke marrë plot 29.1 për qind të kostos totale.

Vetë dokumenti e pranon hapur këtë rrezik, duke e cilësuar energjinë nga importi si “komponentin më të ndjeshëm të strukturës së kostove... për shkak të ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj kushteve të tregut”. Kjo varësi konfirmohet frikshëm nga të dhënat e Doganës: në vitin 2025, vlera e importit arriti në 259 milionë euro, duke shënuar një rritje alarmante prej 81.9 për qind krahasuar me vitin 2024.

Lajme të ngjashme