Pritja e Kurtit, Osmanit e Konjufcës në karrocë për personat me aftësi të kufizuara: Ua kërkoi Handikos
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, pritën gjatë së mërkurës në takim përfaqësues të orgnizatës “Handikos” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.
Ajo që ra në sy, ishte mënyra e veçantë se si ishte organizuar kjo pritje.
Në fotografitë e shpërndara nëpër rrjete sociale, Kurti, Osmani dhe Konjufca, që të tre i pritën përfaqësuesit të ulut në karroce.
Nga Handikos, i kanë thënë Nacionales se ua kishin kërkuar vetë ata që të priteshin në këtë mënyrë nga krerët e shtetit.

Derisa nga shumë mund të jetë duartrokitur, Kurti, Osmani e Konjufca, sidomos ky i pari, morën edhe kritika për këtë veprim.
Një reagim në rrjetin social Facebook, e ka bërë analisti Afrim Haliti i cili duket se i është drejtuar Kurtit, duke i thënë “Kryeministër kjo nuk është fun”.
“Përvetësimi i eksperiencave të personave me aftësi të kufizuara nuk është lojë dhe është i gabuar sepse përfshin huazimin ose marrjen e elementeve të identitetit ose përvojës së aftësisë së kufizuar pa mirëkuptimin, respektin ose pëlqimin e duhur. Kjo shpie në shtrembërimin e përvojave dhe realiteteve të personave me aftësi të kufizuara dhe përjetëson stereotipe dhe stigma të dëmshme.” – ka shkruar mes tjerash ai.