Prishtinë dhe Pejë: Ku do t`i mbajnë tubimet përmbyllëse të fushatës partitë politike? - NACIONALE

Prishtinë dhe Pejë: Ku do t`i mbajnë tubimet përmbyllëse të fushatës partitë politike?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas 30 ditë fushatë zgjedhore, partitë politike janë bërë gati për t`i mbyllur aktivitetet elektorale. Ato tashmë i kanë caktuar edhe tubimet përmbyllëse. Kandidatët e për kryeministër kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këto tubime, të cilat do të mbahen në dy qytete.

Partia në pushtet tubimin përmbylle do ta mbajë sonte në Prishtinë, duke filluar në ora 19:00.

Kandidati për kryeministër i VV-së, Albin Kurti, në të gjitha tubimet e fundit i ka ftuar mbështetësit e kësaj partie që të marrin pjesë në këtë tubim.

Partia Demokratik e Kosovës tubimin përmbyllës do të mbajë nesër në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Tubimi do të mbahet në ora 16:00.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka ftuar simpatizantët e PDK-së që të marrin pjesë në këtë tubim, duke shtuar se do të jetë një mbrëmje e paharrueshme.

Qytetarë të dashur, Jemi në ditët e fundit të fushatës sonë pozitive. Kemi dëshmuar se Kosova mundet ma mirë dhe tani jemi vetëm një hap larg nga fitorja jonë e përbashkët! Këtë të shtunë, më 8 shkurt, ju ftoj të gjithëve në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Nga ora 16:00 fillojmë të mblidhemi! Shihemi të shtunën! Le ta bëjmë këtë mbrëmje të paharrueshme!”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tubimi përmbyllës do ta mbajë të shtunën në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka treguar se tubimi do të mbahet në ora 18:00.

Të shtunën, të gjitha rrugët na sjellin në Sheshin më të madh të Republikës, në tubimin më të madh elektoral, në ringritjen më të madhe të djathtë! ✌️ Ejani. Si festë, si refuzim estetik i ndarjes, përçarjes, urrejtjes - si shpresë për të bërë të ardhmen e këtij vendi siç e ka merituar gjithëherë! 🇽🇰 E shtunë, 8 shkurt, ora 18:00. Sheshi Skënderbeu, Prishtinë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Madje, ai i ka ftuar qytetarët që të vishen trash në këtë tubim.

Vishuni trash, vishuni mirë; le të mbyllim në festë e shpresë gjithë rrugëtimin e tanishëm; për të nisur një të ri! FITORE DHE ASGJË MË PAK!”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Ndryshe nga tri partitë tjera, koalicioni AAK-Nisma tubimin përmbyllës do ta mbajnë në qytetin e Pejës.

Zyrtarët e këtij koalicioni kanë bërë me dije se tubimin do të mbahet në ora 13:00.

Partitë politike fushatën zgjedhore e kanë hapur më 11 janar. Përgjatë kësaj kohe ato kanë mbajtur dhjetëra tubime nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ku kanë prezantuar programet e tyre para qytetarëve.

Lajme të ngjashme