Prishtina me 2926 qen endacakë - 91% e tyre nuk gëzojnë mirëqenie të duhur
Rreth 2926 qen endacakë janë prezentë në territorin e komunës së Prishtinës, dhe vetëm 12% e qytetarëve prishtinas mbajnë qen në shtëpitë e tyre.
Kështu ka bërë të ditur Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, në emisionin “Ju Flet Prishtina”.
Sipas Bajram Gecajt, këshilltar i kryetarit Përparim Rama, në kryeqytet ka më shumë qen endacakë, kjo duke u nisur nga trajtimi që ky institucion iu bënë këtyre kafshëve.
“Në vitin 2022 i kemi trajtuar 2000 qen endacakë, dhe i kemi ende 6 lote, 6 veterinerë që janë duke u marrë me qen endacakë. Deri tash kemi kontrata për trajtimin e 5000 qenve endacakë. Trajtimi i tyre do të bëhet edhe këtë vit, i pjesës së mbetur”, tha Gecaj.
Gecaj tha se komuna vazhdimisht po merret me trajtimin e këtyre kafshëve, dhe një zgjidhje e mirë është ndërtimi i strehimores për këto kafshë, e cila shumë shpejt do të bëhet funksionale, sapo të përfundojë krijimi i infrastrukturës së duhur.