‘Prishje e plotë e komunikimit’: Osmani mungon në Konferencën që e organizon Gërvalla, në 2022 mori pjesë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të shtunën nisi edicionin e shtatë të Konferencës së Ambasadorëve. Aty folës ishin kryeministri Albin Kurti, kryediplomatja Donika Gërvalla dhe një deputete e Vetëvendosjes që drejton Komisionin për Politikë të Jashtme. Por, u vu re mungesa e presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Ambasadorët e Kosovës nëpër shtete të ndryshme morën pjesë sot në Konferencën e organizuar nga Gërvalla. Prej atje, kjo e fundit arritjen më të madhe e cilësoi liberalizimin e vizave, që në fakt, nuk është fare arritje e pushteti ku ajo bën pjesë.
“Liberalizimi i vizave është një nga arritjet tona më të mëdha, duke realizuar një ëndërr të kahershme për qytetarët. Fuqizimi i pasaportës së Kosovës ka forcuar dinjitetin tonë si shtet dhe besimin ndërkombëtar. Për herë të parë, zgjedhjet parlamentare do të mbahen edhe në ambasada dhe konsullata, duke forcuar lidhjet me mërgatën dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.” – u shpreh Gërvalla.
Më shumë se deklaratat, ra në sy mungesa e presidentes Osmani. Në fund të vitit 2022, kur ishte edhe hera tjetër që MPJD në krye me Gërvallën pati një organizim të tillë, kryetarja e shtetit ishte folësja kryesore.
Në lidhje me mungesën e saj, ish-kryediplomati Petrit Selimi ka thënë se kjo është pjesë e një “divorci të çrregullt”, duke marrë parasysh mosmarrëveshjet që janë bërë publike tashmë mes Osmanit me Kurtin e Gërvallën.
Sipas tij madje, Osmani e ka bojkotuar konferencën për shkak të prishjes së plotë të komunikimit mes tyre.
“Ministrja e Jashtme e Kosovës organizoi konferencën vjetore të ambasadorëve. Kryeministri merr pjesë, por jo presidentja. Thuhet se Osmani e bojkotoi konferencën për shkak të prishjes së plotë të komunikimit mes saj dhe ministres e kryeministrit. Shkrova për këtë divorc të çrregullt disa javë më parë”.
Kosovo foreign minister organized the annual Ambassadors conference. PM attends but not the president. Word is Osmani boycotted the conference due to complete breakdown of communication between her and FM/PM. I covered this messy divorce few weeks ago: https://t.co/17UassgmTd
— Petrit Selimi (@Petrit) December 28, 2024
Në lidhje me këtë, reagoi edhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami.
Sipas tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani refuzoi të marrë pjesë në takimin tradicional të fundvitit me ambasadorë të Kosovës.
“Në takimin tradicional të fundvitit me ambasadorë të Kosovës, udhëheqësja e politikës së Jashtme, Vjosa Osmani, ka refuzuar të marrë pjesë.
Edhe rreth 11 mijë kilometra katrorë të Kosovës janë të vogla me mbajt inatet e mëdha primitive ndërmjet krerëve të shtetit.” – ka shkruar ai.
Ndryshe, në pjesëmarrjen e saj të para dy viteve, Osmani kishte thënë fjalë të mira për një organizim të tillë:
“Konferencat e tilla vjetore të ambasadorëve shërbejnë për të pasur diskutim të hapur lidhur me politikën tonë të jashtme, si dhe për mjedisin rajonal, kontinental dhe global në të cilin gjendemi si shtet, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet politika jonë e jashtme dhe shërbimi i jashtëm, si dhe për të përçuar tek ju mesazhet lidhur me temat kyçe të politikës së jashtme”.
Nacionale ka pyetur Presidencën e Kosovës mbi arsyet e mungesës së Osmanit atje.
Po ashtu, kemi pyetur edhe nëse kryetarja e shtetit ka pasur ftesë, por deri në këto momente, nuk kemi marrë përgjigje.