Deklarohet Osmani: SHBA-të mbështesin sovranitetin e Kosovës, dialogu me Serbinë urgjencë
"Amerika e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës", tha presidentja Vjosa Osmani pas takimit me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Karen E. Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Gabriel Escobar.
Ndërsa Donfried u shpreh se ShBA është krenare të quajë Kosovën partnerë të tyre.
“Të gjithë ne duhet të luftojmë për të përmbushur nevojat e qytetarëve tanë, kjo do të thotë avancim në përpjeke që Kosova të marrë vendin e duhur në institucionet evropiane. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ju. Shtetet e Bashkuara janë krenare që Kosovën mund ta quajnë partnere të tyre”, tha ajo.
Donfried ka përmendur po ashtu se procesi i dialogut me Serbinë duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
.jpg)
“SHBA mbështet fuqishëm rrugëtimin tonë euroatlantike dhe përpjekjet tona për të konsoliduar demokracinë tonë në vend për të luftuar krimin dhe korrupsionin e për të punuar për sundimin e ligjit, si dhe mbështesin sovranitetin e Kosovës”, tha Osmani gjatë një konferencë për media.
Më tej, Osmani thotë se gatishmëria për të pritur refugjatët afganë si dhe vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, tregon përkushtimin tonë.
“Ne e kemi dëshmuar përkushtimin tonë duke pritur refugjatët afganë, por edhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha ajo, duke theksuar se SHBA-ja nuk ka aleat më të fortë se Kosova.
“Ne e kemi dëshmuar partneritetin e sinqertë si dhe orientimin tonë duke qëndruar fuqishëm kundër tiranisë.”
Në vazhdim, presidentja e vendit theksoi të ketë përmendur mos-zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia.
“Shpreha zhgënjimin tonë për moszbatimin e marrëveshje të shumta të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat po i frikësojnë serbët e Kosovës.”

Osmani tregoi se në takim u diskutua edhe urgjenca e dialogut me Serbinë.
“Natyrisht që ne sot gjithashtu diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqëndruar në njohjen reciproke”, tha Osmani.
Tutje, Presidentja tha se Kosova është e përkushtuar në këtë proces me përfundim njohjen reciproke.
“E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili e ka në qendër njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundmisht qytetarët”, u shpreh ajo.
