Presidentja Osmani me fjalim për vitin 2022, por e kap krejt shekullin: Sulmon Thaçin, mbron veten
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, dhe i cili zor se mund të ishte më i çuditshëm. Çka tha presidentja dhe pse ajo është e çuditshme?
Adresimi i presidentes Osmani duhej të ishte i karakterit vjetor. Duhej të përmblidhte një hark prej një viti, 12 muajsh, 365 ditësh, por kjo nuk ndodhi. U përmblodhën dekada, e ndoshta edhe shekuj të historisë së Republikës së Kosovës.

Në vend se të përmendeshin të arriturat e të adresoheshin problemet e mëdha që u nxorën përgjatë këtij viti në mënyrë konkrete ajo foli në mënyrë shumë përgjithësuese duke përdorur në mënyrë shfajësuese disa elemente interesante, përfshirë edhe historinë.
Duhet përmendur se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mungoi në këtë fjalim të rëndësishëm vjetor. Ai mësohet se ka udhëtuar drejt Republikës së Çekisë. Në anën tjetër, në Kuvend munguan deputetët e partive opozitare AAK dhe PDK, por ishin disa prej deputetëve të LDK-së.
Qytetari
“Ka qenë një vit i rrethanave të jashtëzakonshme...”- u shpreh znj. Osmani në fjalën e saj përshkruese për këtë vit.
Ajo më pas përmendi edhe qytetarët e vendit duke i falenderuar për aktivitetet e tyre.
“Janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet, dhe joanasjelltas.” – tha presidentja e vendit, duke vazhduar falenderimet ndaj qytetarëve me profesione të ndryshme. Një taksist, një mjeke, e kështu me radhë.

“Janë qytetarët tanë që gjithmojnë konfirmojnë se kur krijohen kushtet arrihen rezultatet. Këtë na e kanë dëshmuar me arritje në sport, kulturë e kudo tjetër.” – vazhdoi më pas ajo përgjithësimet e saj, por nuk përmendi ndonjë emër të përveçëm në këtë pikë.
Për fat të keq, presidentja dështoi të theksonte problemet e mëdha ekonomike me të cilat u përballën qytetarët e vendit përgjatë këtij viti. Mes të cilave, natyrisht është inflacioni.
Adresim shekullor?
Më vonë, presidentja u rikthye në histori duke kujtuar përpjekjet e bëra për liri e pavarësi. Në këtë pikë, ajo përmendi “atin themeltar të Republikës tonë”, Ibrahim Rugovën. Por, përmendi edhe Adem Jasharin të cilin e quajti “simbol të rezistencës”. Ajo vazhdoi të evokonte fjalë që nuk kishin asnjë lidhje me vitin të cilin e kaluam, 2022, por me historinë shekullore të popullit të Kosovës.
Presidentja më pas nisi të fliste për agresionin rus në Ukrainë.
“Idealet e lirisë dhe demokracisë ishin në rrezik atëherë dhe janë në rrezik sot. Por, Kosova është shembulli më i mirë se çka mund të arrihet kur bashkohemi rreth këtyre idealeve. Prandaj, populli i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivok,” – tha presidentja Osmani në pak prej fjalive që adresonin diçka specifike.
Pak te 2022-a
Presidentja Osmani vazhdoi duke përmendur disa prej të arriturave që përmenden edhe nga Qeveria Kurti II, por fatmirësisht u mor pak më shumë me vitin 2022.
Sa i përket politikës së jashtme, ajo tha mes tjerash fjalinë e radhës: “Kam punuar drejt subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës,”
Osmani përmendi edhe takimet që ka pasur përgjatë këtij viti, mes të cilëve edhe liderë të vendeve jo-njohëse.
Për fat të keq, ajo nuk tregoi pse nuk kishte pasur asnjë shtet që kishte njohur Pavarësinë e Kosovës prej kohës kur është presidente e vendit (4 prill 2021).
"Përfundimisht, politika e jashtme në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më aktive, më e koordinuar e më kuptimplote," - përfundoi arbitrarisht znj. Osmani në fjalimin e saj, megjithatë.
Ajo u duk kritike edhe ndaj zërave opozitarë që e kritikonin politikën e jashtme të vendit, duke thënë se më herët kishte pasur edhe politikë të jashtme ilegale. Nuk tregoi specifikisht se për çka e kishte fjalën. Por, më pas foli konkretisht për idenë e korrigjimit të kufijve, një ide që ishte përkrahur fillimisht nga ish presidenti Hashim Thaçi që ndodhet i paraburgosur në Hagë.
"Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar," - u shpreh znj. Osmani që megjithatë dështoi të tregonte se koha e kujt kishte ardhur.
"Nuk do të zmbrapsem asnjëherë nga akuzat e turpshme," - vazhdoi presidentja e Kosovës, duke u viktimizuar më pas e duke thënë se po gjykohej edhe në pamjen e saj.
