Presidenti i Serbisë: Pres shumë telashe në vazhdim
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se pret shumë situata të vështira sa i përket çështjes së Kosovës.
Vuçiq u përgjigj në pyetje të gazetarëve derisa po merrte pjesë në hapjen e fabrikës së kompanisë gjermane Hansgrohe.
Ai u shpreh “pothuajse i sigurt” se bashkësia ndërkombëtare – shkaku i tensioneve të shtuara në veri të Kosovës – do të vijnë me draft-statutin e tyre të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pres shumë telashe në periudhën e ardhshme, por kjo s’është prej dje, nervozizmi është për shkak të Ukrainës dhe ne (për ta) jemi fajtorë për gjithçka,”- u shpreh presidenti i Serbisë.
Vuçiq u pyet edhe për pohimet e Policisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti se dy granata dore kishin rënë në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut.
“A është e njëjta si ajo me armët e gjetura në veturë para ndërtesës së komunës së Zveçantit, në afërsi të NATO-s dhe Policisë së Kosovës?” – pyeti me tallje ai.
Presidenti serb ka përsëritur pretendimin se e kishin informuar faktorin ndërkombëtar se çfarë po planifikonte Kosova, duke aluduar se gjetja e armëve në veturën në Zveçan ishte montim.
“Serbia nuk do përshkallëzim, por edhe ata e dinë se çdo gjë ka masën dhe kufijtë e saj. Ne bëmë të pamundur për të ruajtur paqen, jemi gati për kompromise,” – theksoi Vuçiq.