Presidenti i Këshillit Evropian: Duhet të sigurohemi që konfliktet e kaluara, të mos importohen në BE
Në Forumin Strategjik të Bledit, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e përgatitjeve dhe sfidat që duhet të përballen për të realizuar këtë objektiv.
Në fjalën e tij, ai ka përmendur nevojën për të hequr paqartësitë, përballur sfidat me qartësi, si dhe për të ndërtuar besueshmëri në procesin e zgjerimit.
Presidenti Michel ka vënë në dukje se përafrimi i politikës së jashtme me atë të BE-së është gjithnjë e më i rëndësishëm.
“Është koha për t’i hequr qafe paqartësitë. Është koha për t’i përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Për të qenë të besueshëm, unë besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë.” – ka thënë ai, transmetoi REL.
Në këtë kontekst, ai ka sugjeruar shtimin e një "klauzolë besimi" në traktatet e anëtarësimit për të parandaluar importimin e konflikteve të kaluara në BE.
“Ne duhet të sigurohemi që konfliktet e kaluara, të mos importohen në BE.” - deklaroi Michel.
“Një mënyrë për këtë mund të jetë shtimi i një të ashtuquajture ‘klauzolë besimi’ në traktatet e anëtarësimit, për të siguruar se vendet që anëtarësohen, nuk do të mund t’i bllokojnë shtetet e ardhshme anëtare.” – tha ai.
Ndërkohë, Michel ka shprehur kundërshtimin ndaj heqjes dorë nga rregulli i unanimitetit, e vlerësuar si thelbi i forcës së Bashkimit Evropian.
Në vend të kësaj, ai ka përmendur koncepte të tilla si "abstenimi konstruktiv" që janë diskutuar në Bruksel në lidhje me votimet për çështje të veçanta, e përdorur kur BE-ja ka vendosur t’i financojë dërgesat e armëve në Ukrainë.