Prej takimit të fundit Kurti-Vuçiq në të riun, ku mbeti dhe çka ndodhi qe nëntë muaj? - NACIONALE

Prej takimit të fundit Kurti-Vuçiq në të riun, ku mbeti dhe çka ndodhi qe nëntë muaj?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Konspirim mes palës serbe dhe ndërmjetësit sllovak ishte ajo çka pretendonte të kishte ‘hetuar’ kryeminstri kosovar, Albin Kurti, në takimin e fundit të Nivelit të Lartë Bruksel në shtator të vitit të kaluar; nga ku kishte dalë me njëqind-e-një vështrime e përvoja që do t'i dënonte ashpër.

Vuçiq dhe Lajçak bashkërisht “në koordinim dhe sintonim” kishin provuar që t’ia hedhnin palës kosovare “për ta jetësuar vetëm gjysmën e marrëveshjes”. Kështu alarmonte Kurti në një konferencë të zjarrtë për media ato ditë. Gjysma e marrëveshjes ishte ajo e çka kjo dyshe e vlerësuar për koonspiruese donin, thoshte ai: vetëm themelimin e Asociacionit.

Kanë shkuar shumë larg në goditjen e Kosovës”, thoshte ai.

Krejtësisht i nervozuar kryeministri kosovar ia jepte publikut se kishte mënjanuar këtë ‘grackë’ të Vuçiqit dhe Lajçakut. Por, jo veç Lajçaku e Vuçiqi; aty ishte i përfshirë, sipas tij, edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

E për këtë Kurti u kishte nisur letra qendrave kryesore të botës perëndimore, për t’i informuar për këtë konspirim: Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Romës.

Lajcak dhe Borrell po bashkëpunojnë me Rusinë për të pasur qasje të njëanshme kundër Kosovës”, i kishte shkruar Kurtit Departamentit amerikan të Shteit, siç kishte treguar ish-Zëvendës Ndihmës Sekretari i DASh-it, Gabriel Escobar, në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

Kurti kishte mbajtur mbase konferencën për media më të zjarrtën ndonjëherë dhe aty pati instituuar atë që procesi në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të shndërrohej edhe në proces normalizimi mes Kosovës dhe Lajçakut.

"Ata kanë shkuar shumë larg në goditjen e së ardhmes së Kosovës...Ose e zbatojmë gjithë marrëveshjen, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur...Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë...".

Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.

Por, gjëra tjera doli që bluheshin nga pala serbe – së paku nga strukturat paramilitare të Millan Radojçiqit. Këtu kishte ndodhur diçka tejet e pazakontë.

Kurti kishte dhënë një deklaratë në serbisht pas përfundimit të takimit të Nivelit të Lartë që kishte marrë hovin në mediat serbe për t’u demonizuar, përdredhur, keqinterpretuar e çka mos tjetër.

Kishte thënë fare thjesht për Listën Serbe, se ata kishin gabuar kur u larguan nga institucionet dhe se “ata që gabojnë janë ata që edhe vuajnë për gabimet e tyre”.

Milan Radojçiq kishte shkruar një reagim në faqen zyrtare të Listës Serbe ku kishte kërcënuar publikisht shtetin kosovar duke iu referuar fjalëve të Albin Kurti, e ku germë-për-germe thoshte se “do të shohim se kush do të vuajë e kush do të paguajë”.

Albin Kurti, ti si të gjithë okupuesit, mund të bësh ç’të duash por jo aq gjatë sa do ti”, kishte shkruar Radojçiq.

Dhjetë ditë më pas kishte ngjarë sulmi paraushtarak në Banjskë të Zveçanit që ishte udhëhequr nga vetë Radojçiqi, ku kishin lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku; ndërsa në mesin e tyre kishin pasur tre të vrarë.

Nga ky sulm i paprecedent – dhe edhe agresioni serb – dialogu praktikisht kishte vdekur, me shtetin kosovar që kishte udhëhequr betejë të suksesshme të informacionit për sulmin paraushtarak teksa kërkonin që Serbia të sanksionohej.

Serbia në anën tjetër – e gjetur nën vëzhgim, kritika dhe thirrje të mëdha ndërkombëtare për Banjskën – kishte nisur një gjoja konstruktivitet dhe koncesione si konvertimi i targave të serbëve në veri në të Republikës së Kosovës (RKS) si dhe pranimin e veturave RKS që të udhëtojnë lirshëm nëpër Serbi.

Në tetor, ndërkaq, Kosovës i ofrua – sot e atë ditë, në formë ‘merre ose leje’ – një draft-Statut i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe: të përmbajtur brenda vetes “Rezolutën 12/44” dhe “arbitrazh ndërkombëtar” në çështje të interpretimit të statutit pas pas rishikimit konsekuent të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Serbia, në anën tjetër, pak muaj më vonë përmes Ana Brnabiq, kishte nisur letër – në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare që po mbaheshin në Serbi – se praktikisht po tërhiqeshin nga Marrëveshja Bazike duke iu qëndruar të ashtuquajturave “vija të kuqe”.

Më pastaj ishin tërhequr nga tërheqja, kishte njoftuar Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien; madje duke ia njohur një pjesë të përmbushjes së disa obligimeve nga Bruksel/Ohri.

Krejt më pas kishte pasur çështja e ndalimit – efektivisht dhe esencialisht – e valutës serbe (dinarit) nga Qeveria e Kosovës; gjë që kishte shkaktuar trazira të mëdha në raportet e Kosovës me bashkësinë perëndimore; për çka edhe Kosova e kishte gjetur të veten të qortuar dhe dënuar ndërkombëtarisht në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Rreth dinarit janë zhvilluar një seri takimesh në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, por pa rezultat; për çka edhe qeveria kosovare kisthe urdhëruar – përveç ndalimit të importimit të ‘cash’-it – mbylljen e filialeve bankare të Kursimores së Postës së Serbisë.

Tash Kosova dhe Serbia e gjejnë veten të kushtëzuar edhe me të qënit përfitues të Planit të Rritjes së BE-së, prej gjashtë miliardë eurosh për rajonin, me zbatimin e marrëveshjes së Bruksel/Ohrit.

Çështja tjetër e ngritur si potencialisht tensioneve ka qenë njoftimi për hapjen e Urës së Ibrit, që Policia e Kosovës e ka quajtur çështje kohe.

Për takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, kanë folur fare shkurt edhe nga Zyra e Kryeministrit.

Për Radion Evropa e Lirë se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj "dhe rruga përpara".

Lajme të ngjashme