Poshtë Amerika: “Grupi i Tiranës” i ashpër me ShBA-në, Escobarin dhe Hillin
“Një popull nuk i nënshtrohet një emisarit” – shkroi ditë më parë Elvis Hoxha, “ideologu” jozyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga Tirana, Hoxha e “mprehi shpatën edhe një herë për situatën”, (çfarëdo asocimi me këngën për Enver Hoxhën është i rastësishëm), duke e kritikuar ashpër përfaqësuesin e ShBA-së, Gabriel Escobar. Çfarë tha z. Hoxha?
Me shumë gjasë, ky "hyxhym/yrysh" ndaj Amerikës e posaçërisht ndaj Escobrit, burojnë nga kritikat e sulmet e Kurtit ndaj këtij të fundit, pasi ishte vetë kryeministri që e akuzoi Escobarin se vjen në Kosovë "me kërkesa të palës tjetër (lexo: Serbisë).
“Ne këmbëngulim që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bënë edhe atë të sillet mirë. Përkundrazi...Vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër.” – deklaroi ai, transmeton Nacionale.
Që në krye të herës, duhet përmendur që Escobar në vazhdimësi ka qenë një figurë e komentuar, diskutuar e kritikuar nga “Grupi i Tiranës”, ashtu siç njihen aktivistët e VV-së nga Shqipëria. Hoxha ishte i drejtpërdrejtë në kritikën e tij ndaj Escobarit, i cili deklaroi se Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, nuk ka instinct të bashkëpunimit.
Ndaj kësaj deklarate, Hoxha, që është anëtar i Kryesisë së VV-së, deklaroi se “një popull nuk i nënshtrohet një emisari”, duke folur në emër të popullit kosovar nga Tirana, kryeqyteti shqiptar.
“Kryeministrin e zgjedh një popull. Emisarin e emëron dikush. Një popull nuk i nënshtrohet një emisari”, - shkroi ai ditë më parë.
Pas Escobarit, Hoxha e drejtoi kritikën e tij ndaj Cristopher Hillit, ambasadorit të ShBA-së në Serbi, i cili deklaroi se me Kurtin kanë probleme thelbësore, duke shtuar se nuk e di nëse “ende mund të konsiderohet partner” i Amerikës. Hoxha e sulmoi Hillin, duke shkruar se ai e ka merak “të mbajë Vuçiqin në pushtet”.
“Me fjalët dhe punën e tij, ambasadori Hill nuk ka merakun të tërheqë Serbinë drejt Perëndimit, por të mbajë Vuçiçin në pushtet. Strategjia e emisarëve dhe ambasadorëve nuk e ka hallin te të drejtat e serbëve, por të mirëmbajtja e Vuçiçit. Këtë na e tha Escobari kur shfaqi merakun së serbëve në veri të Kosovës u ishte ndaluar përdorimi i gjuhës. Tha diçka sa për me thënë diçka.” – shkroi Hoxha sot në mëngjes.
Por Hoxha nuk ishte i vetëm, edhe pjesëtarët e tjerë të “Grupit të Tiranës” u aktivizuan ditëve të fundit. Më aktivi në këtë kontekst, ishte Hysamedin Feraj, që është këshilltar i kryeministrit Kurti. Feraj e goditi Escobarin, duke thënë se Kurti nuk është një individ, siç e përshkroi emisari amerikan.
“Nuk është një individ, por një popull që nuk do t'i nënshtrohet Serbisë dhe banditëve të saj!” – shkroi këshilltari Feraj.
Ndërsa, Boiken Abazi, ndonëse nuk e përmendi me emër të përveçëm as Escobarin, as Hillin e as ShBA-në, e këshilloi diplomacinë perëndimore, duke shkruar se shovenizmi serb sot i glorifikon bandat kriminale të Vuçiqit.
“Ndërkombëtarët duhet ta kenë të qartë se shovenizmi serb sot i gjithi gëzon dhe glorifikon bandat kriminale të Vuçiqit që sulmuan dhe plagosën ushtarët e KFOR-it.” – shkroi ai.
Ndryshe, dje ambasadori Hill ishte jashtëzakonisht i ashpër me Kurtin, duke thënë se Amerika ka probleme thelbësore me shefin e ekzekutivit.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.” – theksoi ambasadori Hill.
Ambasadori veteran, pra z. Hill, që shpesh është quajtur “lokomotiva e diplomacisë amerikane”, deklaroi se Kurti duhet të bëjë disa ndryshime, nëse dëshiron marrëdhënie partneritetit me ShBA-në.
“Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.” – deklaroi Hill.


