“Kemi probleme; s’ka fleksibilitet”: Qysh po e kritikon Amerika Kurtin për veriun? - NACIONALE

“Kemi probleme; s’ka fleksibilitet”: Qysh po e kritikon Amerika Kurtin për veriun?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrëdhënia mes kryeministrit Albin Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës tashmë është e trazuar, e lënduar. Madje, edhe përplasjet publike, në e përmes medieve, nuk kanë munguar. Kurti e sulmoi Gabriel Escobarin, emisar special i ShBA-së, duke e kritikuar se “vjen me propozime të palës tjetër (lexo: Serbisë). Por as amerikanët nuk kanë qëndruar anash, pasi kanë bërë disa deklarata të ashpra karshi Kurtit.

Hiç më larg se dje, Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbi, e dha një intervistë të gjatë, duke treguar se ShBA-ja ka probleme thelbësore me Kurtin. Madje, ai shkoi një hap më tutje, duke thënë se nuk e di nëse ShBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti ende partner.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.” – theksoi ambasadori Hill.

Ambasadori veteran, pra z. Hill, që shpesh është quajtur “lokomotiva e diplomacisë amerikane”, deklaroi se Kurti duhet të bëjë disa ndryshime, nëse dëshiron marrëdhënie partneritetit me ShBA-në.

“Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.” – deklaroi Hill.

I ashpër me Kurtin ishte edhe Escobar, i cili foli gjatë kësaj jave për meidet kosovare. Si rrallëherë, diplomati amerikan i hyri interpretimeve psikologjike, duke thënë se Kurti nuk e ka instiktin e bashkëpunimit dhe koordinimit.

“Pse këto ndërtesa, pse kur iu kërkuam koordinim, ata s’u koordinuan? Kjo na tregon se si na shohin neve si partnerë…Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës. Por kjo s’do të thotë që do të qëndrojmë krah një individi që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar e për t’u bashkërenduar.” – deklaroi emisari amerikan.

Tutje, z. Escobar foli edhe për mungesë koordinimi dhe fleksibiliteti nga ana e Kurtit.

“Më duhet ta them që jemi krejtësisht konfuzë – edhe pse të bashkuar me BE-në – se pse kjo gjë po ndodh. Pse ka mungesë koordinimi dhe fleksibiliteti?” – tha ai.

Ndërsa javën që shkoi, Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë, ishte i qartë, duke thënë se do të habitej nëse do të kishte ëe të Kurtit me zyrtarë të ShBA-së.

“Do të isha i befasuar nëse në kushtet e tanishme do të kishte gatishmëri për ëe të nivelit të lartë, ose nga Kosova në Amerikë ose anasjelltas...Siç e thashë do të isha i befasuar nëse do të kishte gatishmëri – në situatën në të cilën jemi – për vizita të nivelit të lartë.” – deklaronte z. Hovennier.

Dje Kurti foli për “Associated Press”, duke e sulmuar Escobarin, por edhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kurti deklaroi se emisarët ndërkombëtarë po vijnë me kërkesa të palës tjetër.

“Ne këmbëngulim që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bënë edhe atë të sillet mirë. Përkundrazi...Vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër.” – deklaroi ai, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme