Politikani serb konfrontohet me BIA-n: Thanë po e shkel Kushtetutën e Serbisë, iu thashë s'e shkeli të Kosovës
“Po e shkel Kushtetutën e Serbisë, më thanë – u thash, se nuk po e shkel Kushtetutën e Kosovës”. Kështu e përkufizoi ndalimin dhe intervistimin nga Agjencioni Shtetëror i Sigurisë së Serbisë (BIA) politikani serb nga Kosova, Boban Bogdanoviq, i cili e pranon shtetin kosovar si shtet të tij. Mëngjesin e së hënës ai njoftoi se është ndaluar nga BIA dhe është marrë gjerësisht në pyetje, ndërsa aktivitetet e tij iu paraqitën si shkelje e Kushtetutës së Serbisë.
Bogdanoviq, në rrjetin e tij në Twitter, u shpreh se sa i përket asaj se çfarë u ka ofruar BIA-s gjatë intervistimit, ishte mbështetja e tij për Kosovën dhe rrugën Euro-Atlantike të saj – bashkërisht me idetë e tij për ripajtim mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.
“Besoj se do të arrestohem në Serbi po qe se vazhdoj me politikën e paqes mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse advokoj për integrimet e tyre Euro-Atlantike dhe anëtarësim në NATO....Mu prezantuan se aktivitetet e mia shkelin Kushtetutën e Serbisë. Unë ju përgjigja se nuk po e shkel Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter, ndonëse shprehet se sa i përket zyrtarëve që e morrën në pyetje “ata ishin korrektë”.
It was presented to me that my activities violate the Constitution 🇷🇸.
— Boban Bogdanović (@GenSecRespond) June 12, 2023
I answered them that I am not violating the Constitution 🇽🇰.
S’i ka as një muaj që dy serbë nga Leposaviqi u arrestuan (dhe u liruan) nga Serbia në pikën kufitare të Jarinjes me Kosovën nën akuza se po punonin “kundër rendit kushtetues të Serbisë” duke “promovuar pavarësinë e Kosovës....duke bërë thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”. Megjithatë që të dy ishin liruar “në mungesë provash” ndonëse u ishte shtyrë paraburgimi edhe me nga 30 ditë.
Avokati i njërit nga të arrestuarve, Ivan Niniq, pati thënë për Radion Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe) se klienti i tij Dragan Nikoliq, u lirua për shkak të mungesesës së provave.
“Pesë dëshmitarët e parë erdhën, refuzuan të dëshmojnë duke thënë se kishin frikë për sigurinë e tyre. Më pas u thirrën edhe katër dëshmitarë të tjerë. Një dëshmitar erdhi dhe tre jo. Prokurori konstatoi se nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar praninë e tyre, duke qenë se ata janë në territorin e Kosovës dhe Serbia nuk ka mekanizma që t'i detyrojë të vijnë”, tha Niniq, duke theksuar se këta ishin dëshmitarë të identifikuar nga Policia serbe.
Përveç Nikoliqit, ishin arrestuar edhe tre serbë nga veriu i Kosovës. Të gjithë ata akuzoheshin se ishin pjesë e “një grupi të organizuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte ndryshimi i dhunshëm i pushtetit, gjegjësisht përmbysja e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”. Ata dyshohej se kishin shpërndarë "material propagandistik për të promovuar pavarësinë e Kosovës".
Njëri prej serbëve, me ç’raportone REL, ishte endde në mbajtje për arsye “të kompletimit të provave”, ndërsa avokati në fjalë thoshte se “ky është një proces politikisht i vënë”.
Niniq paraprakisht pati thënë se të gjithë dëshmitarët kanë të përbashkët se “ata i marrin rrogat nga buxhetet komunale në veri të Kosovës”, pra janë nën “kontrollin e Listës Serbe”, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Autoritetet serbe nuk i kanë reklamuar fare këto raste të arrestimit, por avokatët e tyre e kanë informuar opinionin.