Politikanët 'zbarkojnë' në Bashkësi Islame për Kurban Bajram, myftiu ngacmime me Kurtin për bllokadën politike - NACIONALE

Politikanët 'zbarkojnë' në Bashkësi Islame për Kurban Bajram, myftiu ngacmime me Kurtin për bllokadën politike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Liderët e partive politike, përfaqësues të institucioneve e ambasadorë, kanë shkuar në Bashkësinë Islame të Kosovës për urime për Bajram.

Duke nisur nga Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, përfaqësuesit e PDK-së, Ramush Haradinaj e të tjerë, kanë uruar myftiun Naim Tërnava për Kurban Bajram.

E myftiu, kur e priti në takim Kurtin, pati disa ngacmime për bllokadën politike.

Gjatë takimit, Muftiu Naim Tërnava, me ironi, u shpreh se kishte menduar të ftonte të gjithë deputetët për të prerë nga një kurban, me shpresën se kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e ngërçit politik.

“Desha t’i ftojë të gjithë deputetët e parlamentit ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, tha Tërnava.

Gjatë vizitës, Kurti uroi festën dhe theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për të varfërit.

“Urime festa e Kurban Bajramit sot dhe jo vetëm sot. Le të ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë dhe ta përkujtojmë rëndësinë që ka sakrifica dhe solidariteti për një shoqëri të mirë dhe të drejtë. Paçit tryezat përplot me miq”, tha ai.

Në emër të PDK-së, për urime shkoi Abelard Tahiri.

“Kjo ditë është kur duhet të gjendemi pranë atyre që janë në nevojë dhe kalojnë momente të vështira në vendin tonë. Po ashtu angazhimin tonë do ta kujtojmë për shtetin e Kosovës, si shtet në ndërtim e sipër”, tha Tahiri.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës shkoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Është festë e sakrificës. Le të na shërbejë si devotshmëri ndaj Krijuesit”, tha Abdixhiku gjatë vizitës, duke uruar paqe dhe mirësi për të gjithë qytetarët.

Në BIK shkuan edhe përfaqësues të Presidencës, ambasadorë, e zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Sot besimtarët muslimanë festojnë festën e Kurban Bajramit.

Myftiu Tërnava në fjalën e tij, theksoi problemin e natalitetit, duke theksuar se qeveria duhet t’i mbështetë familjet me shumë fëmijë.

Lajme të ngjashme