Heqja e sirenave në veri, policia s'e konfirmon: Nacionale mëson detaje - NACIONALE

Heqja e sirenave në veri, policia s'e konfirmon: Nacionale mëson detaje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës raportohet se ka larguar sirenat, të njohura edhe si “uzbuna” që zakonisht lëshohen në kohë të tensioneve në veri dhe për grumbullimin e serbëve atje.

Këtë, ka refuzuar ta pohojë ose ta mohojë zëdhënësi i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

“As s’e mohojmë, as s’e pohojmë” – i tha ai Nacionales.

Megjithatë, Nacionale nga burime të saj ka mësuar se sirenat janë larguar nga hapësira ku ishin të vendosura.

Po ashtu, ndonëse u raportua për aksion, Nacionale ka marrë vesh se nuk ka pasur një operacion të madh, por se sirenat janë larguar nga një numër i vogël i zyrtarëve policorë.

Ndërkohë, në media u raportua për “një aksion të policisë, megjithatë, Elshani nuk foli mbi këtë çështje.

Zakonisht pas rënies së sirenave, grupe të organizuara dalin në rrugë ku edhe mblidhen, e në raste, janë organizuar edhe barrikada.

Një situatë tillë, e kemi parë posaçërisht gjatë muajve të fundit, kur situata në veri ka qenë tejet e tensionuar.

Sveçla: Situatë e përmirësuar në veri

Megjithatë, që prej sulmit të Bajnskës, situata në veri është qetësuar. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa po fliste në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, tha se situata atje është përmirësuar.

Mes tjerash, ai ka folur edhe për një sulm gjatë ditë së djeshme, që sips tij, u rrezikua jeta e një polici.

“Atje institucionet e sigurisë janë ballafaquar me sulme ekstremiste, sulmi i 24 shtatorit u menaxhua mjaft mirë edhe pse humbëm heroin Afrim Bunjakun. Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovë është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është se një sulm kemi pasur edhe dje ku është rrezikuar jeta e një polici. Megjithatë situata e sigurisë atje është përmirësuar ndjeshëm.” tha Sveçla.

Lajme të ngjashme