Policia, FSK-ja, udhëtimet: Cilat ishin masat e ShBA-së e BE-së ndaj Kosovës? - NACIONALE

Policia, FSK-ja, udhëtimet: Cilat ishin masat e ShBA-së e BE-së ndaj Kosovës?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Dje RTV Dukagjini, duke u thirur në burime, raportoi në lidhje me një “sanksionim” të Policisë së Kosovës nga ana e ShBA-së. Sipas raportimit, “disa trajnime të ndryshme”, të cilat janë kryer në bashkëpunim me Ambasadës e ShBA-së në Kosovë, “janë anuluar”. Megjithatë, këto masa nuk janë të parat ndaj Kosovës, e cila ka një marrëdhënie të trazuar për shkak të politikës së Qeverisë Kurti për veriun.

Përveç “anulimit të disa trajnimeve”, i cili raportim as nuk është pohuar e as mohuar nga MPB-ja, Policia dhe Ambasada Amerikane, ky institucion ishte kritikuar ashpër nga ShBA-ja për “instrumentalizim” nga ana e Qeverisë Kurti.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës për "vazhdim të konsultimit dhe koordinimit me komunitetin ndërkombëtar" – kishte thënë Ambasada Amerikane pas një aksioni në veri të PK-së, raporton Nacionale.

Përveç Policisë së Kosovës, ndërkombëtarët vitin e kaluar e përjashtuan edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës nga “Defender 2023”, një ushtrim i rëndësishëm i FSK-së me NATO-n. Në një bisedë me gazetarët, Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së, kishte treguar për përjashtimin, duke theksuar se “shtëpia është në flakë”.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës” – kishte thënë Hovenier vitin e kaluar, raporton Nacionale.

Në lidhje me këtë përjashtim kishte pasur shumë reagime, posaçërisht nga opozita, e cila kishte alarmuar për raportet e ftohura mes Kosovës dhe ShBA-së.

Natyrisht, nuk kanë munguar as masat ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian. Në fakt, masat ndëshkuese të vendosura vitin e kaluar për shkak të dërtimit me polici të kryetarëve të veriut në objektet komunale, janë ende në funksion. Këto masa në vazhdimësi janë kritikuar nga ana e pushtetit në Kosovë, të cilët kanë bërë thirrje që ato të hiqen.

Nacionale kishte raportuar në nëntor të vitit 2022 në lidhje me problemet që ministrat e Qeverisë Kurti II dhe disa bashkëpartiakë kanë pasur me viziat e udhëtimit për në Amerikë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishin njoftuar nga ambasada e ShBA-së në Prishtinë se vizitat e tyre në Amerikë nuk mund të realizoheshin.

“Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar këtu” – deklaronte zëdhënësja e ambasadës amerikane, Katherine Judd, raportonte Nacionale.

Shtyerjen e takimit e kishte konfirmuar vetë Haxhiu, ndonëse nuk e kishte quajtur “anulim”.

Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta” – kishte shkruar Haxhiu.

Lajme të ngjashme