Policia e Kosovës jep detaje për rrugët të cilat janë përfshirë nga vërshimet
Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa pjesë të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet.
Policia e Kosovës dhe shërbimet e tjera emergjente kanë qëndruar gjatë ditës në terren duke intervenuar në disa pjesë ku ka pasur shembje dheu e gurësh, si dhe në rrugë dhe shtëpi të përfshira nga uji.
Përmes një komunikate për media, PK ka bërë të ditur se janë angazhuar në shtimin e masave të sigurisë në trafik.
“Policia e Kosovës në ato zona ku ka potencial për vërshime, ka shtuar patrullimet dhe verifikuar situatën, duke u angazhuar së bashku me AME-në, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale etj., si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë. Njësitet policore, pos koordinimit me institucionet relevante po angazhohen edhe në shtimin e masave të sigurisë në trafik dhe riorientim të qarkullimit në ato rrugë që janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim.” – thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka treguar edhe për rrugën të cilat janë përfshirë ngë vërshimet.
“Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut. Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga. Si pasojë e të reshurave ka pasur nivel të shtuar të ujit edhe në rajone tjera, si në dy rrugë të Gjakovës, në Ujëmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skenderaj, etj.” – thuhet në njoftim.
