Policia e konfirmon, aksioni i bastisjes në Banjskë ka pëfunduar
Dy ditë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, ka përfunduar aksioni i bastisjes i udhëhequr nga Policia e Koosvës në Banjskë të Zveçanit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në Mitrovicë të Veriut. Tutje, Elshani theksoi se në lidhje me procedurat e mëtutjeshme do të vendoset nesër pas orës 9.
“Ka përfunduar aksioni i bastisjes. Nesër pas orën 9 do të vendoset se si të procedohet tutje”, ka thënë Elshani për Kohën.
Kujtojmë që dy ditë më parë, Policia e Kosovës arriti të parandalojë përshkallëzimin e situatës së sigurisë, duke neutralizuar grupin terrorist serb në veri. Ndërsa, tashmë kanë nisur të zbardhen edhe më shumë detajet e sulmit terrorist ndaj Kosovës, pjesë e të cilit grup, sigurisht si udhëheqës, ishte Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania, si dhe i kërkuar nga Kosova nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme , Xhelal Sveçla, ka theksuar grupi i Radojçiqit planifikonte destabilizimin e veriut të Kosovës. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sveçla ka thënë se ata kishin në plan edhe shpalljen e një autonomie për pjesën veriore.
“Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, ka thënë Sveçla.
Po ashtu, Dereck Chollet, zëvendës sekretar amerikan i Mbrojtjes, ka telefonuar sot gjatë mbrëmjes kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sigurisht tëmë e telefonatave ishte sulmi terrorist që e kryen një grup serbësh në veri ndaj Policisë së Kosovës, të cilin sulm e ka dënuar Chollet.
Gjatë bisedës me Kurtin, Chollet e dënoi ashpër dhunën ndaj Policisë së Kosovës, duke shtuar se palët duhet të kthehen në dialog.
“Shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë e Ohrit”, shkroi Chollet në X.
Spoke with PM @albinkurti of the heinous attack Sunday in Kosovo. Strongly condemned violence against Kosovo Police; expressed condolences on the loss of Sergeant Afrim Bunjaku. Both sides must return to the EU-facilitated Dialogue and implement Ohrid commitments.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023
Ndërsa, në bisedën me Vuçiqin, Chollet i kërkoi atij të shtensionojë menjëherë situatën dhe të shmang veprimet që mund të nxisin më tej tensione.
“Fola me presidentin Vuçiq për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm në veri të Kosovës. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Chollet.
Spoke to President Vucic @predsednikrs on the importance of immediate de-escalation in the north of Kosovo and avoiding actions which could further inflame tensions. The tragic loss of life underscores the urgent need to restore calm and return to the EU-facilitated Dialogue.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023
Sot, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka publikuar pamje që tregojnë Milan Radojiçiq, nënryetar të Listës Serbe, ku shihet duke u fshehur pas organizimit të sulmit terrorist në veri të Kosovës.
Sveçla ka publikuar pamjet që duket të jenë në manastirin e Bajnskës, ku shihet Radojiçiq dhe pjesëtar të tjerë të këtij grupi.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.” – ka shkruar ai në Facebook.
