Chollet telefonon Kurtin e Vuçiqin, u kërkon rikthimin në dialog - NACIONALE

Chollet telefonon Kurtin e Vuçiqin, u kërkon rikthimin në dialog

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dereck Chollet, zëvendës sekretar amerikan i Mbrojtjes, ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sigurisht tëmë e telefonatave ishte sulmi terrorist që e kryen një grup serbësh në veri ndaj Policisë së Kosovës, të cilin sulm e ka dënuar Chollet. Në telefonatat e tij, Chollet u ka kërkuar Kurtit dhe Vuçiqit rikthimin në dialog. Çka shkroi Chollet në X?

Gjatë bisedës me Kurtin, Chollet e dënoi ashpër dhunën ndaj Policisë së Kosovës, duke shtuar se palët duhet të kthehen në dialog.

“Shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë e Ohrit”, shkroi Chollet në X.

Ndërsa, në bisedën me Vuçiqin, Chollet i kërkoi atij të shtensionojë menjëherë situatën dhe të shmang veprimet që mund të nxisin më tej tensione.

“Fola me presidentin Vuçiq për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm në veri të Kosovës. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Chollet.

Çka ndodhi në veri?

Kujtojmë që dy ditë më parë, Policia e Kosovës arriti të parandalojë përshkallëzimin e situatës së sigurisë, duke neutralizuar grupin terrorist serb në veri. Ndërsa, tashmë kanë nisur të zbardhen edhe më shumë detajet e sulmit terrorist ndaj Kosovës, pjesë e të cilit grup, sigurisht si udhëheqës, ishte Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania, si dhe i kërkuar nga Kosova nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Sot tre terroristët e vrarë në Banjskë janë nderuar në Mitrovicën e Veriut, atje ku janë vendosur fotografitë e tyre dhe qirinj. Nacionale po qëndron në Mitrovicën e Veriut, ku shihet se një numër qytetarësh janë mbledhur në nderim të terroristëve.

Të pranishëm kanë qenë edhe krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq.

Sot, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka publikuar pamje që tregojnë Milan Radojiçiq, nënryetar të Listës Serbe, ku shihet duke u fshehur pas organizimit të sulmit terrorist në veri të Kosovës.

Sveçla ka publikuar pamjet që duket të jenë në manastirin e Bajnskës, ku shihet Radojiçiq dhe pjesëtar të tjerë të këtij grupi.

“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.” – ka shkruar ai në Facebook..

Lajme të ngjashme