"Po"-ja e Kurtit për planin e BE-së, a mund të bëhet "jo" për planin e zbatimit? - NACIONALE

"Po"-ja e Kurtit për planin e BE-së, a mund të bëhet "jo" për planin e zbatimit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka thënë “Po” planit të BE-së të hënën.

Në takimin e 27 shkurtit, palët janë zotuar se do të angazhohen në mënyrë konstruktive edhe për bisedimet rreth planit të zbatimit, ku do të konkretizohen afatet për realizimin e marrëveshjes. Por, a mundet që “Po”-ja e Albin Kurti për planin e BE-së të behët “Jo” për planin e zbatimit?

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se një gjë e tillë është e mundshme, mirëpo nga veprim i tillë do të pësonte Kosova.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka bërë se kjo sjellje do të sillte pasoja të mëdha për Kosovën.

Ka gjasa për ‘JO’. E përmenda më herët se ‘JO’-ja ka qenë fjala kyçe e Vetëvendosjes ‘revoluciionare’, kjo ‘JO’ sikur ende merr jehonën e vjetër në konceptet aktuale të Albin Kurtit. Një ‘JO’ e tij në rrethanat e sotme, kur Serbia po përpiqet që t`i afrohen SHBA-ve, do të ishte veprim me pasoja të mëdha për Kosovën”, ka thënë Maliqi në një intervistë për gazetën Nacionale.

Ai ka vlerësuar se nuk beson që Kurti në fund do të ndryshojë qëndrim.

Kurti gjatë dy mandateve si kryeministër ka arritur t’i zhgënjej deri në irritim dy administratat amerikane, dhe shpresoj se më në fund është mbushur mend. Nuk mund të jetë aq miop që të kontribuojë prishjes së marrëdhënieve me superfuqinë botërore që e kemi pas alete dhe mentore që nga vitet 90 dhe që asnjëherë nuk na ka zhgënjyer”, ka thënë Maliqi.

Dhe ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Skënder Hyseni, ka bërë me dije se më nuk mund të refuzohet marrëveshja.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se gjatë bisedimeve për planin e zbatimit Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiqit do të pranojnë gjithçka.

Plani ka për synim kryesor parandalimin e përshkallëzimit të situatës apo ndonjë konflikti në Ballkan, për çka Federata Ruse është shumë e interesuar. Kurti dhe Vuçiq do t’i pranojnë të gjitha. Negociatat për planin e zbatimit janë vetëm edhe një manovër politike, ngase mendoj se edhe kjo është dakorduar tashmë. Çfarëdo modifikimi i këtij aneksi duket të jetë i pamodifikueshëm”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, edhe për planin e BE-së palët kanë qenë të detyruar ta pranojnë dokumentin.

Ky plan nuk është një zgjidhje perfektë por, në rrethanat e krijuara, është një hap i madh i ndërmjtëm më drejtimin e duhur. Palët kanë qenë të detyruara nga bashkësia ndërkombëtare që të pajtohen me këtë plan. Pra, ka qenë një lloj ultimatumi dhe ndëshkimi i politikave të papërgjegjëshme edhe në Prishtinë edhe në Beograd”, ka thënë Hyseni.

Pala jo konstruktive do të ndëshkohet

Edhe përfaqësuesit e vendeve aleate të Kosovës kanë bërë me dije se pala që nuk do të tregohet konstruktive në proces do të këtë pasoja.

Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në një intervistë për për RTK-në, ku ka folur për shumë çështje, e më specifikisht për planin franko-gjerman, siç dikur njihej gjerësisht plani evropian.

I pyetur nëse do të ketë pasoja nëse plani evropian nuk zbatohet, të cilin kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruante, Rohde është përgjigjur me po.

Natyrisht do të ketë konsekuenca për palën që nuk tregohet konstruktive. Mirëpo, ne nuk kemi arsye të dyshojmë në seriozitetin e palëve, që të hënën në Bruksel u zotuan se e pranojnë këtë plan. Prandaj, presim që të dëshmohet vullnet politik për të hyrë në detaje të zbatimit të tij, sepse ne duam që më në fund të kemi një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë të tillë që e pamë një vit e gjysmë e këtej, duke rrëshqitur nga një krizë në tjetrën.” – theksoi ai për RTK-Radio.

Pavarësisht pranimit të planit të BE-së, kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka thënë se nuk do ta pranojë një Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Lajme të ngjashme