“Po favorizon Serbinë”; “po dëmton Kosovën”: Bislimi qortohet ashpër për sjelljen ndaj BE-së
Refuzimi i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, për ta marrë pjesën në takimin e ftuar nga BE-ja javën e ardhshme në Bruksel, po konsiderohet si veprim i gabuar nga opozita.
Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare kanë bërë me dije se sjelljet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi po e dëmtojnë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
Deputeti i PDK-së ka thënë se numri dy i Qeverisë Kosovës është person i papërgatitur për postin që e mban.
Sipas tij, zyrtar të tillë Kosova nuk ka pasur asnjëherë.
“Asnjëherë nuk ka pasur Kosova ndonjë përfaqësues apo anëtar qeverie, i cili për mungesë të dijes dhe të kulturës bazike diplomatike ka dëmtuar aq shumë kredibilitetin e shtetit të Kosovës sikurse zoti Bislimi”, ka thënë Hoxhaj për “Reporti.net”
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës së nuk është i interesuar për dialog me Serbinë.
Hoxhaj ka thënë se këtë po e tregojnë veprimet e fundit të ekzekutivit.
”Ata nuk janë të interesuar ta vazhdojnë dialogu, duke bllokuar edhe të ardhmen evropiane të Kosovës.”, është shprehur Hoxhaj.
I shqetësuar me sjelljen e Bislimit është shprehur edhe deputeti i LDK-së, Aton Quni.
Ai ka thënë se sjellja e të dytit të Qeverisë do t`i kushtojë Kosovës.
Quni ka vlerësuar se me sjellje të tilla Bislimi i krijon favore Serbisë.
“Refuzimi i Bislimit që me trajtuar një çështje, jam i bindur se do të merr kritika, do të gjykohet dhe po e vështirëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Thjeshtë po krijon avantazhe për palën serbë që do e materializojnë në tavolinën e diskutimeve”, ka thënë Quni për Teve1.
BE-ja e qorton Bislimin
Sjelljet e Besnik Bislimit janë kritikuar edhe nga BE-ja.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konsideruar të papranueshme sjelljen e Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ndaj zyrtarëve të bllokut.
Sipas “REL”-it, Stano i ka bërë thirrje Bislimit që t’i vlerësojë përpjekjet e BE-së, në vend që të në mënyrë të pabazë t’i akuzojë ata.
“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t'i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t'i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme.”, citohet se ka thënë ai.
Ndërkohë, të mërkurën Bislimi konfirmoi se e ka refuzuar ftesën e emisarit Miroslav Lajçak për bisedime në Bruksel, në lidhje me çështjen e dinarit.
“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit.”, është shprehur ai.
Madje, Bislimi e kishte kritikua BE-në për caktimin e këtij takimi.
“…është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”, ishte shprehur Bislimi.