Plakja e Kadri Veselit: Cila është gjendja emocionale e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë sipas pak fjalëve të vizitorëve - NACIONALE

Plakja e Kadri Veselit: Cila është gjendja emocionale e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë sipas pak fjalëve të vizitorëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë personalitete kanë vizituar ish-liderët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë dhe në një formë kanë shuar kureshtjen e publikut për gjendjen e tyre emocionale. Por, cilat ishin këto fjalë që na e zbulojnë deri diku se si po mbahen emocionalisht figurat e luftës?

Pamja e Kadri Veselit dje në seancën e re në Hagë u duk e pabesueshme. Ai dukej të ishte plakur shumë vetëm për disa muaj, sa nuk ishte parë në publik. Por, cila është gjendja emocionale sipas vizitorëve që kanë parë të paraburgosurit në bazë të asaj që kemi, fjalëve të tyre? Natyrisht, për shkak të lidhjeve të miqësisë që kanë vizitorët me të paraburgosurit, jo çdo fjalë që thuhet më poshtë mund të jetë krejtësisht e vërtetë.

Edi Rama, Memli Krasniqi, Albulena Haxhiu, Enver Hoxhaj, Shaqir Totaj, Blendi Fevziu e plot figura të tjera kanë vizituar ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] të cilët po mbahen të paraburgosur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë deri më tani kanë pranuar disa vizitorë të cilët u çmallën me personat që s’i kanë parë që dy vite.

Vizita e fundit që bëri bujë të madhe ishte ajo e kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama.

Edi Rama e vizitoi specifikisht vetëm ish-presidentin, Hashim Thaçin, me të cilin ka pasur raporte të mira, duke thënë se ai ishte në ‘top formë’ dhe se çmallja me të ishte e nevojshme.

Ishte një vizitë, ishte një çmallje e nevojshme, Thaçin e gjeta në top formë, i bindur mbase dhe më shumë se para se të vinte këtu, që ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht para drejtësisë pastërtinë e plotë të Luftës Çlirimtare dhe të idealit të ushtrisë”, ka thënë Rama.

Vizita e tij nga disa u pa si tendecioze dhe nxiti reagime ngase kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka vizituar asnjë nga liderët në Hagë.

Një vizitë emocionale kishte pasur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Memli Krasniqi.

Krasniqi vizitoi edhe Thaçin edhe Kadri Veselin të cilët përmes tij dërguan ‘të fala të përzemërta’.

Të fortë dhe krenarë për rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës, ashtu si përherë, i pashë dy liderët historikë të Kosovës dhe të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjatë një vizite tejet emocionale që pata në Hagë. Ashtu siç besojmë në drejtësi, të gjithë besojmë se ata, bashkë me shokët e tyre çlirimtarë, po mbahen padrejtësisht atje, sepse lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, andaj edhe e presim kthimin e tyre triumfues sa më parë. Të fala të përzemërta!”, ka thënë Krasniqi.

Po ashtu edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, zhvilluan vizitat e tyre në Hagë.

Hoxhaj ka thënë se “Triumfi i tyre në Hagë, do të jetë triumfi i Kosovës” ndërsa Totaj ka thënë se vizita e tij ka zgjatur tri orë dhe liderët e tij kanë qenë të përmalluar e po ashtu, e kanë uruar atë për fitoren në zgjedhjet në Prizren.

Vizita ka zgjatur tri orë te z. Thaçi dhe tri orë te z. Veseli. Ata kanë qenë të përmalluar për të biseduar”, ka thënë Totaj.

E Thaçi e Veseli nuk pranuan të takohen me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila para një muaji ka bërë një vizitë zyrtare në Gjykatës Speciale.

Të gjithë janë mirë me shëndet, po qëndrojnë të fortë. Mendoj se janë disa prej çështjeve që janë serioze dhe i kemi ngritur pastaj edhe tek instancat tjera”, kishte thënë Haxhiu pas vizitës.

Haxhiu në Hagë kishte takuar Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën.

Thaçin e kanë vizituar edhe gazetarë të njohur nga Shqipëria si Blendi Fevziu dhe Mero Baze.

Fevziu pas takimit me Thaçin kishte thënë se aktakuza ndaj tyre është politike dhe nuk mund të argumentohet dhe se për ish-krerët e UÇK-së, kjo është beteja e dytë.

Është një akuzë e ngritur politikisht, por që nuk argumentohet. Ata po bëjnë sot betejën e tyre të dytë, pas betejës për pavarësinë e Kosovës, pas betejës për ta hequr zgjedhën serbe, e cila ka ngritur kaq varre masive në Kosovë”, kishte thënë Fevziu.

Edhe reperi Gramoz Aliu i njohur me emrin Mozzik kishte vizituar Kadri Veselin.

“Sapo përfundova vizitën në Hagë, ku takova Kadri Veselin! I fortë guri, i pathyeshëm si gjithmonë”, kishte shkruar ai.

Përveç këtyre vizitave, Thaçi dhe të tjerët kanë pranuar edhe vizita të tjera familjare, por për të cilat nuk është ndarë ndonjë fjalë sa i përket gjendjes emocionale të tyre.

Ndërkohë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të martën dolën para Gjykatës për t'u përgjigjur në lidhje me akuzat e reja të Prokurorisë.

Të gjithë u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja të Gjykatës Speciale.

Aktakuza e dorëzuar 2 vite më parë, është plotësuar me pretendime të reja, të cilat thuhet se janë kryer në disa fshatra të Suharekës dhe në qytetin e Gjilanit.

Ndërsa OVL e UÇK-së ka thënë për Nacionalen se “aktakuza ndaj Thaçit e të tjerëve është poshtërsi” dhe “po synohet zvarritja e procesit”.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nuk ka filluar ende.

Lajme të ngjashme