Një vizitë nga Edi Rama, një fjalim emocional e katër deklarata pafajësie – çfarë ndodhi në Hagë?
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Të katër ish-krerët e UÇK-së dolën para Gjykatës për t'u përgjigjur në lidhje me akuzat e reja të Prokurorisë. Të gjithë u deklaruan të pafajshëm. Dikush tha se nuk i ka të qarta akuzat, e dikush kërkoi që gjykimi të nisë sa më shpejt. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të zhvillimeve të sotme në Hagë.
Mëngjesim e sotëm, ashtu siç dihej, doli para Dhomave të Specializuara të Kosovës ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Pak minuta pasi ai u deklarua i pafajshëm, në Qendrën e Paraburgimit Thaçit i shkoi një mysafir i veçantë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi për pak kohë me mikun e tij, të cilin e përmend jo rrallë në diskutimet publike.
Para vizitës së Ramës, Thaçi u deklarua i pafajshëm për akuzat e reja të Prokurorisë, që përfshijnë kryerjen e krimeve të luftës në Budakovë, Semetisht e konviktin e Gjilanit. Kjo, pavarësisht se ish-presidenti i Kosovës tha se nuk i ka krejt të qarta akuzat, shkaku i redaktimeve.
“Zoti gjyqtar, theksova edhe një herë amendamentet e juaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj nuk kam mundur edhe t’i kuptoj dhe deklarohem i pafajshëm”, u shpreh Hashim Thaçi.
Kritika pati edhe avokati i tij Gregory Keohe. Si shumica e këtyre akuzave janë shumë të redaktuara, emrat, vendet, kohët, dhe kjo është njësoj si përpara, dhe kjo e bën Thaçin dhe të tjerët që të mos kenë mundësi të kuptojnë ekzaktësisht se cfarë saktësisht po paraqet ZPS-ja. Është e vazhueshme, shtojnë materiale dhe shtohen redaktimet”, deklaroi Keohe.
E pas seancës, u zhvillua takimi Rama-Thaçi. Kryeministri i Shqipërisë tha se Thaçin e ka gjetur në top formë.
“Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top-formë. I bindur mbase edhe më shumë se kur e kam takuar përpara, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtërave të UÇK-së dhe të udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka shumë për të thënë. Të gjithë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave të gjakut të dhënë dhe përpjekjeve që kanë vijuar më tej për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, ka thënë Rama.
VESELI
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjithashtu u deklarua i pafajshëm. Megjithatë, ai nga gjyqtari pati një kërkesë që gjykimi të nisë sa më shpejt.
“Kam dëshirë që procesi të fillojë sa më shpejt dhe ta kem të drejtën time të shprehi pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar. Deklarohem i pafajshëm. Kisha pasë dëshirë që këto të drejta, të kem të drejtë pikërisht në këtë gjykatë edhe t’i aplikoj”, u shpreh Veseli.
KRASNIQI
E ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, edhe kësaj here pati një fjalim më të gjatë. Ai tha se është e turpshme që po e jeton këtë kohë, të cilën e krahasoi me ish-regjimin e Millosheviqit.
“I nderuar gjyqtar, zonja dhe zotërinj që jeni të thirrur të bëni drejtësi. Kërkoj që të më kuptoni drejt. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet, në mënyrë më të qartë në raport me më të fortin. Por, për më të dobëtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie, e as përbuzje veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë sado e rrezikshme që ishte, dhe është edhe sot, se është nisur nga e njëjta logjikë që e kam jetuar në Jugosllavi, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.
“Mbase jam gabim por kurrë nuk kisha besuar sikur të mos ishte ky rast, se juristë të shkolluar në demokraci liberale, që pretendojnë se punojnë me drejtësi kredibile për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngritin një akuzë që mbështetet vetëm në bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe cenon rëndë jetën, lirinë dhe të drejtën e individit. Madje e godet tepër rëndë në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë që ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të jetojnë për lirinë, demokracinë e padrejtësinë”, theksoi Krasniqi.
SELIMI
Më i shkurtër ishte ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Ai tha se nuk ka asnjë ndërlidhje me akuzat e reja të Prokurorisë, e as me ato të vjetrat.
“Akuzat i kuptova, por jam i bindur që asnjë lloj të përgjegjësisë nuk e kam për këtë që e dëgjuam. Jam i pafajshëm”, u shpreh Rexhep Selimi.
AKUZAT E REJA
Prokuroria e Specializuar në Hagë e kryesuar nga Jack Smith, i ka rënduar akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e dorëzuar 2 vite më parë, është plotësuar me pretendime të reja, të cilat thuhet se janë kryer në disa fshatra të Suharekës dhe në qytetin e Gjilanit. Gazeta Nacionale i ka parë këto pretendime të reja të Prokurorisë, dhe sjell detaje.
Edhe dy anekse shtesë të mbushura me akuza pritet të rëndojnë edhe më shumë mbi krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Më shumë se 30 faqe të reja do t’i shtohen aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Fshatrat Budakovë dhe Semetisht gjenden në komunën e Suharekës. Në këto dy zona, Prokuroria e Hagës po pretendon se ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Këto pretendime i kanë shtuar në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e re e plotësuar në rastin e krerëve të UÇK-së është dorëzuar më 28 prill. Përveç fshatrave të Suharekës, krime lufte pretendohet se janë kryer edhe në një konvikt në Gjilan.
Deri te ky plotësim i aktakuzës, kishte ardhur pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të shtuar akuza të reja ndaj krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit u ankuan për këtë synim të Prokurorisë, por Gjykata e Apelit në Speciale i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes.
Këto akuza të reja vijnë në kohën kur avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, kanë pasuar ankesa të shumta për vonesat në proces. Pas këtij plotësimi të aktakuzës, mbrojtjes do t’i duhet kohë për hetime të tjera, shpalosjen e materialeve nga Prokuroria, por edhe punë në terren në lokacionet e reja që janë shtuar në aktakuzë.