Plagosja e gruas në Fushë Kosovë, i dyshuari ishte arrestuar e liruar pak ditë më parë: Prokuroria ia lë fajin gjykatës - NACIONALE

Plagosja e gruas në Fushë Kosovë, i dyshuari ishte arrestuar e liruar pak ditë më parë: Prokuroria ia lë fajin gjykatës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është plagosur në Bresje të Fushë-Kosovës. I dyshuari, që është burri i guras së plagosur ishte arrestuar më datë dy gusht për “dhunë në familje”, pastaj ishte liruar me masën “ndalim për t’iu afruar personit të caktuar”. Si shpeshherë kur institucionet dështojnë e fatkeqsia ngjanë, ato ia hedhin fajin njëra tjetrës.

Çka ndodhi?

Orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është plagosur në Bresje të Fushë-Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje për Nacionalen.

Sipas saj, është arrestuar i dyshuari.

"Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor" - thuhet në njoftim.

Menjëherë pas kësaj ngjarje reagoi ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila fajësoi edhe prokurorinë edhe gjykatën, duke u thirur në burime të veta.

Sipas informacioneve që kemi, personi i dyshuar kishte qenë në mbajtje por ishte liruar anipse ishte recidivist dhe sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij. Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori” – ka shkruar Haxhiu.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë versionin e saj, duke shpjeguar kronologjikisht se si kishte ndodhur rasti, “më datë 02.08.2024 në ora 17:30, ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ nga neni 248 të KPRK-së.” – fillon shpjegimi i Prokurorisë.

Tutje aty thuhet se prokurori ka ngritur aktakuzë, duke kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

Por, në seancë që është mbajtur me 4 gusht, prokuroria ka kërkuar arrest shtëpiak për të pandehurin.

“Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak. – thuhet aty.

Që nga ky rresht, prokuroria “e fajëson gjykatën” duke thënë se kërkesa e tyre është refuzuar.

“Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje aty thuhet se rasti tashmë është kualifikuar si ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së.

Ndryshe, në shumicën e dokumenteve të publikuara nga institucione relevante si Këshilli i Evropës e organe të tjera që sugerojnë mbrojtjen nga Dhuna në Familje, thuhet se instituti i paraburgimit “duhet të shqiptohet kur gjyqtari përcakton se ekziston rrezik i mjaftueshëm i dhunës ose ekzistojnë shqetësimet se i pandehuri nuk do t’u bindet kushteve të vendosura të lirimit.”.

Në Kosovë, jo rrallë herë burra me precedent kriminal, recidivist e të tillë që kanë kryer veprën e Dhunës në Familje, kanë përsëritur veprën, e e kanë shndrruar atë në vrasje, kundër grave të tyre. Kjo nga njohësit është vlerësur si dështim institucional.

Lajme të ngjashme