Plagosja e dy serbëve në Shtërpcë – i përfshirë një pjesëtar i FSK-së
Ministri i Mbrojtjes se Kosovës, Armend Mehaj ka bërë të ditur se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i përfshirë në sulmin që ka ndodhur në Shtërpcë.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se për të njëjtin do të trajtohet sipas rregullores dhe ligjeve që ka në fuqi Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja.
“Të dashur qytetarë, tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar ai.
Tutje Mehaj iu ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
“Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t'i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka përfunduar Mehaj.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy serbëve në komunën e Shtërpcës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe i njëjti ju ka dëshiruar shërim të shpejtë.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, ka përfunduar Kurti.
Policia e arreston, A.K i konfiskon armën dhe veturën:
Njoftimi i rradhës i Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast është se përveq se e ka arrestuar, të dyshuarin, është konfiskuar edhe arma si dhe vetura me të cilat dyshohet se është kryer vepra.
Çka ndodhi?
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në komunën e Shtërpcës, e cila është e banuar kryesisht me serbë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur dy persona. Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për dy të rinj, një fëmijë 11-vjeçar dhe një 31-vjeçar.
Pas plagosjes, atyre iu është dhënë ndihma mjekësore në Shtëpinë e afërt shëndetësore, dhe më pas janë dërguar në repartin e kirurgjisë në Graçanicë.
I dyshuari 33-vjeçar A.K (M/K) është arrestuar nga Policia Rajonale e Ferizajt pas hetimeve të shumta dhe mbledhjes së informacioneve në terren.
“Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar. I dyshuari është duke u shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime tjera hetimore.” – thuhet në njoftimin e PK-së.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim në qytetin e Graçanicës dhe janë jashtë rrezikut për jetë, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshme mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në Graçanicë. Të dy të plagosurit, nga informacionet që kemi, janë jashtë rrezikut për jetë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas sulmit ndaj të rinjve serb në Gotovushë, ka reaguar edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiq, e cila ka kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të sulmit.
"Edhe në Natën e Shenjtë Ortodokse, serbët në Kosovë nuk janë të sigurt. Unë e dënoj fuqishëm këtë krim të tmerrshëm dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë menjëherë dhe të nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Ky është një tjetër në një seri incidentesh të tmerrshme që tregojnë ashpërsinë e kushteve në të cilat jetojnë serbët në Kosovë çdo ditë”, ka shkruar Brnabiq në Twitter.
Më tej, kryeministrja e Serbisë ka thënë se kur dhuna sistematike nënvlerësohet vazhdimisht, ekstremizmi përhapet shpejt nga lidershipi i zhgënjyer në shoqërinë e gjerë dhe krimet bëhen fakt i zakonshëm i jetës së përditshme të të shtypurve.
When regularized and systematic violence is continously underplayed, then extremism quickly spreads from the disillusioned leadership into the wider society, and crimes become ordinary fact of everyday’s live for the oppressed. #Kosovo* #LastEuropeanGhetto
— Ana Brnabic (@anabrnabic) January 6, 2023