Petkoviq s'e ndal propagandën për personat e pagjetur, takon Komisionin e Kryqit të Kuq: “Prishtina ka penguar procesin”
Pas miratimit në Nivel të Lartë të Dialogut Kosovë-Serbi të Deklaratës për Personat e Pagjetur, kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka takuar krerët e delegacionit rajonal të Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe koordinatorin mbrojtës dhe kryesuesen e Grupit Punues për Personat e Pagjetur. Në këtë takim ai nuk la pa propaganduar rreth kësaj çështje duke fajësuar Kosovën , për çka tha se “kanë penguar kërkimin në nëntë lokacione”.
“Fatkeqësisht, Prishtina ka qenë duke e penguar këtë proces me vite dhe ka shmangur lejimin e kërkimit në nëntë lokacione që Beogradi ka dije të mirë-bazuar se fshihen mbetjet e serbëve të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë. Në anën tjetër, Beogradi gjer më tash ka lejuar kërkimin në 23 lokacione që Prishtina i ka shënuar si relevante”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën.
Petkoviq, siç shkruhet më tej në njoftim, ka folur me Komisionin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të cilët edhe kryesojnë Grupin Punues për Personat e Pagjetur, “për domosdoshnërinë e nisjes së operacionalizimit të kësaj Deklarate sa më parë të jetë e mundur që edhe të ndërmerren hapat e para në zbatimin e saj”.
“Petkoviq shprehu pritshmëritë e tij që Prishtina, së paku në këtë zonë, të ndalojë pengesat dhe që procesi i kërkimit për ato të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë më në fund të zhbllokohet”, përfundon njoftimi.
Flet edhe Odalloviqi
“Është bërë punë e madhe” me miratimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur, ka thënë Kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur në Serbi, Veljko Odaloviq, duke folur për televizionin publik serb, ku tha se tash mundësohet vazhdimi i procesit, puna në terren, kërkimi i lokacioneve ku do të kryhen gërmimet. Odalloviq e fajëson Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “gjer më tash e ka bllokuar këtë proces” ndërsa shton se sa i përket palës serbe me t’u njoftuar për një vendndodhje të mundshme ku mund të gjenden persona të zhdukur, ata do të jenë aty “brenda 24 orëve”.
“Nëse ka gatishmëri nga pala e Prishtinës për të zbatuar çka është nënshkruar, ne shumë shpejt mund të nisemi në vazhdimësinë e procesit dhe të nisim punën në terren, për të kërkuar vendndodhjet se ku, sipas informacioneve të përmendura nga Prishtina, do të kryhen kërkimet”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, Odalloviq pretendon se “gjëja më e keqe” është se ekzistojnë informacione për vendndodhje të mundshme të një varreze masive por se aty nuk po kryhen kërkime. “Pozitive”, sipas tij, është vendimi për të formuar një komision të përbashkët, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, me përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
“Që kjo të jetë diçka duhet mbështetje shtesë, sepse na dyhet era prapa shpinës, për shkak të numrit të madh të arkivave të paraqitura nga përfaqësues ndërkombëtar që ishin në misione të ndryshme, për të qenë të qasshëm për Prishtinës dhe Beogradin, në mënyrë që në kërkime të mund të shohim nëse kemi informacione për vendndodhjet e mundshme”, thotë Veljko Odaloviq./Nacionale/